
Behgjet Pacolli ka njoftuar se kompania MABCO ka nisur procedurën e parashikuar në marrëveshjen dypalëshe për mbrojtjen e investimeve mes Shqipërisë dhe Zvicrës, lidhur me mosmarrëveshjen për Aeroportin e Vlorës.
Sipas Pacollit, MABCO, është penguar në ushtrimin e të drejtave që burojnë nga pronësia e saj dhe se prej prillit 2026 nuk ka pasur qasje në hapësirat dhe objektet e aeroportit.
Postimi i plotë i Pacollit:
Duke u nisur nga fakti se, që prej vitit të kaluar, MABCO është, dhe edhe tani mbetët e PRIVUAR nga çdo qasje efektive në procesin e vendimmarrjes së ndërmarrjes VIA, si dhe i është pamundësuar ushtrimi i të drejtave që burojnë nga pronësia e saj prej 98% të kuotave si pasojë e drejtpërdrejtë e veprimeve dhe mosveprimeve të Autoritetit Kontraktor dhe autoriteteve të tjera kompetente.
Kjo gjendje ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në bllokimin e punimeve në Aeroport, që në fakt nga prilli 2026, MABCO është privuar nga qasja në hapësirat dhe objektet të cilat janë ndërtuar përmes investimeve marramendëse të vetë kompanisë, duke i pamundësuar në praktikë administrimin, mbrojtjen dhe shfrytëzimin e investimit të saj.
Pasi janë shteruar përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje përmes rrugëve të tjera, MABCO u ka dërguar autoriteteve shtetërore shqiptare një “Notice of Dispute”në përputhje me Marrëveshjen Bilaterale ndërmjet Zvicrës dhe Shqipërisë për nxitjen dhe mbrojtjen reciproke të investimeve (BIT).
Aktualisht, çështja ndodhet në periudhën gjashtëmujore të “cooling-off”, të parashikuar për t’u dhënë palëve mundësinë që mosmarrëveshjen ta zgjidhin përmes dialogut dhe negociatave për të evituar ARBITRAZHIT NDERKOMBETARE, ICSID pranë BANKËS BOTËRORE ne Washington.
Gjatë gjithë kësaj periudhe, MABCO u ka bërë thirrje të vazhdueshme autoriteteve të Republikës së Shqipërisë për dialog konstruktiv dhe për gjetjen e një zgjidhjeje të arsyeshme. Fatkeqësisht, deri më sot, këto thirrje nuk kanë marrë një përgjigje konkrete.
Pavarësisht kësaj, MABCO do ta respektojë në tërësi periudhën e parashikuar nga kuadri përkatës juridik, me shpresën se autoritetet shqiptare do të angazhohen në mënyrë konstruktive për zgjidhjen e “mosmarrëveshjes” dhe për shmangien e instancës së fundit, përkatësisht arbitrazhit ndërkombëtar.
MABCO mbetet e gatshme për dialog dhe për një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme. Megjithatë, mundësia për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të kësaj “mosmarrëveshjeje” varet tashmë nga gatishmëria dhe vullneti i autoriteteve të Republikës së Shqipërisë për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive në këtë proces. BP
(A2 Televizion)