
Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas i ka drejtuar një kërkesë qeverisë për vijimin e kompensimit për rritjen e çmimit të karburantit, duke paralajmëruar se në të kundërt mund të reduktohet shërbimi i transportit publik.
Në një letër drejtuar Ministrisë së Financave, Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës, Ministrisë së Pushtetit Vendor dhe Bashkisë së Tiranës, shoqata kërkon që kompensimi të vijojë për muajt qershor, korrik dhe gusht 2026, si dhe për periudhën në vijim, deri në normalizimin e çmimit të karburantit.
Sipas Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas, çmimi i karburantit vijon të mbetet në nivele të larta dhe përbën një nga kostot kryesore të operatorëve të transportit publik.
“Masat e kompensimit të ndërmarra deri më tani kanë qenë një mbështetje e domosdoshme për ruajtjen e ekuilibrit financiar dhe vijimësinë e shërbimit. Megjithatë, problematika që solli nevojën për këtë mbështetje nuk është tejkaluar”, thuhet në letër.


(A2 Televizion)