Pajisje e re për diagnostikimin e transfuzioneve të gjakut dhe ADN, Rama: Saktësi e shërbim i sigurt

Nga A2 CNN
27 Mars 2026, 08:38 | Aktualitet

Pajisje e re për diagnostikimin e transfuzioneve të gjakut dhe ADN,

Në Laboratorin e Imunohematologjisë në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut është instaluar platforma automatike me teknologjinë Real-Time PCR. Lajmin e ka ndarë në rrjetet sociale kryeministri Edi Rama, sipas të cilit kjo teknologji lejon analizimin e ADN-së për të identifikuar me saktësi karakteristikat e gjakut të një individi.

“Mirëmëngjes dhe me instalimin e platformës inovative automatike me Real-Time PCR në Laboratorin e Imunohematologjisë të Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, e cila mundëson tipizim molekular të gjakut, përputhshmëri më të saktë për pacientët dhe mbështetje për transfuzione e transplante më të sigurta, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Në videon e shpërndarë nga kreu i qeverisë, Riana Gjyli nga Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut dha më shumë detaje mbi këtë pajisje që do t’u vijë në ndihmë pacientëve.

“Pajisje risi që shfrytëzon një teknologji të avancuar për identifikimin e ADN, të grupeve të gjakut. Teknologji që i vjen në ndihmë pacientëve të politransfuzuar, që kanë zhvilluar antitrupa nga transfuzione të shumta apo për krijimin e një baze dhuruesish me grupe të rralla të gjakut. Shërbim më të sigurt për pacientët tanë me një përputhshmëri më të saktë dhe më pak risqe nga transfuzioni”, u shpreh Riana Gjyli nga Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos