Heroi kombëtar Çerçiz Topulli është ekspozuar në një mënyrë aspak të denjë për mos thënë të turpshme në muzeun e kalasë në Gjirokastër. Portreti i tij nuk mund të ishte i denjë as për një teatër kukullash dhe jo për një institucion që paraqet historinë e shqiptarëve në sytë edhe të vizitorëve të huaj.
Ndonëse me vonesë më në fund në muzeun e kalasë në Gjirokastër janë ekspozuar veshje, armë dhe sende që janë përdorur nga heroi kombëtar Çerçiz Topulli. Një figurë që ka dhënë shumë jo vetëm për rajonin e Gjirokastrës, por edhe për çështjen kombëtare.
Por mënyra se si është paraqitur në muze portreti i heroit është fyese. Ky vizatim që nuk është i denjë as për në teatrin e kukullave, pretendon të paraqesë portretin e heroit kombëtar në sytë e shqiptarëve që e kanë njohur nëpërmjet historisë.
Por ajo që është akoma më shqetësuese në këtë mënyre e prezantojnë edhe në sytë e mijëra turistëve të huaj që vizitojnë këtë muze dhe përballen për herë të parë me tiparet e vizatuara të heroit.
Dhe me sa duket ky fakt nuk u ka bërë fare përshtypje drejtuesve të drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore dhe Muzeut, ndërsa ciceronia përpiqet të përqëndrohet te veshjet dhe armët, të cilat nuk dihet se përse nuk ishin ekspozuar deri më tani.
Urojmë që ky manekin që pretendon të prezantojë heroin kombëtar Çerçiz Topulli të hiqet menjëherë dhe të zëvendësohet me një të denjë, pasi artistët gjirokastritë, por edhe më gjerë, kanë treguar që dinë të pikturojnë bukur dhe ti sjellin personazhet si të gjallë, siç ka qenë edhe rasti i portretit të ish-diktatorit Enver Hoxha në bunkerin e luftës po në Gjirokastër.
(A2 Televizion)