
Pas marrjes së kompetencave të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka nisur një aksion i gjerë në disa prej zonave më problematike të kryeqytetit për pastrimin e qytetit dhe rikthimin e normalitetit pas sezonit veror.
Grupet e punës të Bashkisë së Tiranës kanë zbritur në terren, duke ndërhyrë në zonën e Bregut të Lumit, Babrrusë dhe Urës së Kamzës. Në aksion janë përfshirë Drejtoria e Përgjithshme e Pastrim-Gjelbërimit, Policia Bashkiake, Eco Tirana dhe ndërmarrje të tjera në varësi të Bashkisë.
Zyrtarë të Bashkisë së Tiranës bënë të ditur se ndërhyrjet do të vijojnë çdo ditë dhe do të shtrihen në të gjitha pikat problematike të Tiranës.
“Këtu jemi tek zona e Bregut të Lumit, një nga zonat më problematike të Tiranës. Kemi disa ditë që po vazhdojmë me aksionin e pastrimit, së bashku edhe me ndërmarrjet e tjera të Bashkisë, bazuar në direktivat e kryetarit, për të ndërhyrë në të gjitha pikat problematike, në gjithë Tiranën. Aksionet do vijojnë çdo ditë. Ne do jemi në të gjithë pikat problematike, për të ndërhyrë dhe për t’i pastruar ato”, sqarojnë zyrtarët e bashkisë.
Krahas punës së strukturave bashkiake, është i domosdoshëm edhe bashkëpunimi i qytetarëve për të mbajtur të pastër kryeqytetin.
Aksionet e pastrimit të Bashkisë së Tiranës do të vijojnë çdo ditë, me ndërhyrje të koordinuara në të gjitha zonat problematike, me synim rikthimin e normalitetit dhe përmirësimin e situatës në kryeqytet. (A2 Televizion)