Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit për cilësinë dhe kontrollin e barnave në vendin tonë është rikthyer për diskutim në Nënkomisionin për Auditimin e Sektorit Publik. Gjatë një seance dëgjimore me përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Agjencisë së Kontrollit të Barnave, deputetët e opozitës kërkuan sqarime në lidhje me shkeljet e gjetura dhe se çfarë ka ndryshuar nga raporti i vitit 2023 deri më tani.
Përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Agjencisë së Kontrollit të Barnave thanë se një pjesë e rekomandimeve të KLSH-së janë reflektuar, ndërsa të tjera vijojnë të jenë në proces zbatimi, shkruan A2 CNN.
Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitet e pandemisë, 2020–2023, nxori në pah cilësinë e ulët të barnave në vendin tonë, mungesën e kontrollit dhe moskryerjen e analizave për medikamentet që qarkullojnë në treg.
Raporti po ashtu theksonte mungesën e një ligji sipas standardeve të Bashkimit Europian, çka sipas KLSH-së e bën tregun farmaceutik të pasigurt për sa i përket cilësisë dhe efekteve të medikamenteve që qarkullojnë në vendin tonë. (A2 Televizion)