29 vite nga tragjedia e Otrantos dhe data e 28 marsit mbetet vetëm si përkujtim. Familjarë të viktimave, përfaqësues të pushtetit, si dhe qytetarë të Vlorës përkujtojnë një prej tragjedive më të rënda, ku humbën jetën 81 viktima. Me iniciativë të ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe deputetes së qarkut të Vlorës, Erjona Ismaili, 81 karrige të lëna bosh në buzë të detit simbolizonin viktimat e kësaj tragjedie, si dhe një lule e hedhur në det, në përkujtim të gjithë atyre që humbën jetën, shkruan A2CNN.
Një ngjarje që qytetit i dhemb, thotë ministrja Ismaili, por sipas saj, “harresa dhemb më shumë se ngjarja”, duke e parë të rëndësishëm përkujtimin çdo vit.
Familjarët e viktimave të tragjedisë së Otrantos insistojnë ndër vite për drejtësi dhe akuzojnë se kjo tragjedi është krijuar me dashje. Sipas tyre, vendimi i gjykatës italiane, pavarësisht se ka pasur prova, ka qenë i padrejtë.
Më 28 mars 1997, anija shqiptare me 142 persona në bord u përmbys nga forcat detare italiane në Ngushticën e Otrantos, ku humbën jetën 81 persona, të cilët shpresonin se do të krijonin një jetë më të mirë në Itali pas trazirave që kishin prekur vendin tonë. Mes viktimave pati edhe fëmijë. (A2 Televizion)