Shqipëria i merr Dubait turistët, frika nga lufta sjell më shumë të huaj në Shqipëri

Nga Anesti Barjamemaj
27 Mars 2026, 18:45 | Aktualitet

Frika e pushimeve në Dubai për shkak të luftës në Lindjen e Mesme ka bërë që shumë turistë të huaj të rrisin kërkesën për të vizituar Shqipërinë si një vend të sigurt. Në konferencën për mediat, ministri i Kulturës, Inovacionit dhe Sportit, Blendi Gonxhja, bëri me dije se operatorët turistikë kanë raportuar rritje të kërkesës, shkruan A2CNN.

“Turistët janë në rritje. Sa u takon atyre që do të shkonin në Lindjen e Mesme, me keqardhje sepse nuk na kënaq fatkeqësia e askujt, por kjo po e bën Shqipërinë një destinacion të preferuar për plane të reja pushimesh. Ata që shkonin në Lindjen e Mesme për turizëm, tani po ndodh që kërkesa për në Shqipëri të rritet”, u shpreh ministri Gonxhja.

Ministri u fokusua edhe te kërkesa në rritje për sa i përket teatrove në vend dhe siteve kulturore.

“Sot ka më shumë vizitorë në Teatrin Kombëtar. Edhe Teatri Eksperimental ka një rritje të biletave të shitura. Përveç teatrove, edhe sitet kulturore kanë njohur një rritje të kërkesës për sa i përket vizitueshmërisë së tyre”.

Gonxhja foli edhe për muzeun arkeologjik që do të ngrihet pranë sheshit “Nënë Tereza”.

 “Muzeu i ri arkeologjik është një lajm shumë i mirë, sidomos për një Tiranë vibrante. Ai është i domosdoshëm si në aspektin turistik, ashtu edhe në atë kulturor, në mënyrë që të kemi një menu gjithnjë në rritje ofertash për turistët”, tha ministri.

Në fund, ministri u ndal edhe tek projektet e reja kulturore, duke përmendur se deri më tani numërohen rreth 700 aplikime, nga të cilat 250 janë shpallur projekte fituese në të gjithë vendin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos