Kapriçot e motit kanë risjellë dimrin në pranverë. Përgjatë gjithë natës reshjet e dëborës kanë pushtuar thuajse gjithë zonën e juglindjes dhe veriut të vendit duke zbritur deri në lartësitë700-800 metra mbi nivelin e detit. Në Juglindje, trashësia e dëborës në zonat më malore arriti deri në 20 cm. Edhe fshatrat turistikë të Dardhës dhe Voskopojës u mbuluan nga bardhësia, ku trashësia varionte nga 10-15 cm.
Nga situata e motit nuk raportohen problem me qarkullimin mjeteve në akset nacionale në juglindje me përjashtim të disa rrugëve rurale ku ka patur vështirësi në qarkullimin e mjeteve por jo bllokim. Probleme ka patur me furnizimin me energji elektrike në disa fshatra të njësisë administrative Vithkuq dhe Lekas.
Sakaq edhe në veri të vendit reshjet e dëborës kanë mbuluar zonat malore. Më të theksuara kanë qenë në Qafë Thore në rrugën që të çon drejt fshatit turistik të Thethit, ku trashësia e dëborës arriti deri në 40 cm.
Pavarësisht reshjeve, nuk raportohet që të ketë bllokime të rrugëve që të çojnë drejt këtyre zonave. Por policia rrugore apelon që drejtuesit e mjeteve të tregohen të kujdesshëm dhe të përdorin pajimet dimërore. Më shumë sesa probleme, duket se këto reshje dëbore kanë ndjellë vizitorët për të shijuar bukuritë e natyrës nën petkun e bardhë. (A2 Televizion)