“Mos u vishni me të zeza dhe këndoni”, amaneti i 19-vjeçares që humbi jetën nga leucemia

Nga A2 CNN
27 Mars 2026, 11:07 | Aktualitet

Rasti i Darta Dhimos, 19-vjeçares nga Korça e cila ndërroi jetë pak muaj më parë, pasi humbi betejën me sëmundjen e rëndë, ka prekur opinionin publik, edhe për amanetin që ajo la në rrjetet sociale. Gazetari i A2 CNN, Artin Halili lexoi në Dita Jonë mesazhin e ndjerë të 19-vjeçares, pak ditë para se të ndërronte jetë. Ajo kërkoi që në ceremoninë e saj mortore njerëzit të mos visheshin me të zeza, por të luteshin dhe të këndonin për të.

“Ju lutem shijoni çdo ditë si dhuratë nga Zoti. Shijoni mëngjesin kur jeni në gjendje të zgjoheni dhe të ndjeni mushkëritë tuaja duke u mbushur me oksigjen. Shijoni shëndetin tuaj fizik dhe shijoni çdo moment të kaluar me familjen dhe miqtë tuaj. Fatkeqësisht unë nuk arrita të bëja asnjë nga këto që kur u sëmura. Kështu që ju lutem bëjeni për mua. Përqafoni të veçantët tuaj dhe mbi të gjitha mos harroni të falënderoni të vetmin që na jep jetë dhe shpresë. Vetëm kur na merret diçka, kuptojmë vlerën që kishte”, shkruante ajo në rrjetet sociale, përcjell gazetari i A2 CNN.

Sipas tij, studentja e vitit të parë në Universitetin e Korçës e zbuloi sëmundjen rastësisht, teksa kishte shkuar për të dhuruar gjak. Gjendja e saj u përkeqësua me shpejtësi, pavarësisht përpjekjeve me kimioterapi, duke mos arritur ta fitojë betejën me sëmundjen.

Ky rast ka nxitur aktivistët në qytetin e Korçës që të ndërmarrin një nismë për kurimin e fëmijëve me sëmundje të rënda jashtë vendit, duke kërkuar nga qeveria hartimin e një kuadri ligjor për të tilla raste.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos