Përlotet Ermonela Jaho: Tragjedia e nënë Ferdonije Qerkezit, pret dy djemtë dhe burrin prej 27 vitesh

Nga A2 CNN
14 Gusht 2026, 17:44 | Aktualitet

Sopranoja Ermonela Jaho rrëfeu në emisionin “Ditari i Pasdites” nga Pandi Gjata në A2CNN emicionet e takimit me nënë Ferdonije Qerkezin, e cila prej 27 vitesh pret lajme për dy djemtë dhe burrin e zhdukur në luftë.

E përlotur, Jaho tregon se ishte e emocionuar dhe nuk mundte as të derdhte lot para nënë Ferdonijes, e cila me një qetësi dhe qëndresë stoike, i jepte forcë vet sopranos.

Kujtojmë që sot në orën 21:00 do të transmetohet në A2CNN edhe dokumentari “Ermonela Jaho këndon Gjakovën”, ku në fokus janë dy nëna dhe dy fate të dhimbshme nga tmerri i luftës.

Ka qenë takim jashtë mase emocionues. U tregova më e fortë nga ç’e mendoja. Nuk është thjesht një histori e treguar, është një vend që ti e prek me duart e tua, ku ti shkel, dhe çdo gjë atje nënë Ferdonija e kishte lënë të paprekur. Kishte një energji ajo shtëpia, që unë pa e takuar akoma, thjesht mendimi…Ndoshta jemi shumë sensibël, por mendimi më mbyllte fytin. Thashë s’do jem në gjendje të këndoj Ermal, por Ermali më tha do të ndihmoj jashtë mase të shkosh ta takosh, edhe donim ta ftonim në koncert, sepse ishte homazh për këto nëna të jashtëzakonshme", tha Jaho. 

"Takimi me Nënë Ferdonijen, s’mund të gjej dot fjalët më të bukura që ka gjuha shqipe për ta përshkruar, takimi qe kaq emocionues, ajo me qetësinë e saj, nuk arrija dot as të qaja, të derdhja lot para saj sepse me një qëndresë stoike, të atyre nënave shqiptare që e kthejnë dhimbjen në forcë dhe me atë qetësinë, si një burrneshë e vërtetë tregonte historinë. Tregonte se ajo po jetonte se priste trupat e fëmijëve që i mungojnë akoma. Më ka dhënë një forcë të jashtëzakonshme, ku loti u kthye në përqafim të plotë. Të dridhet trupi kur shikon një nënë që ka jetuar me një tragjedi të tillë. E kam shtrënguar aq fortë dhe ishte ajo që më jepte forcë", vijoi ajo.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos