Protestuesit dhe policia janë përplasur te Rruga e Durrësit, pak metra larg Ministrisë së Arsimit pasditen e të martës, për të dytën herë këtë ditë. Ndryshe nga ditët e tjera, protesta ka qenë kryesisht paqësore, por deri tani janë shënuar dy episode tensioni.

Të rinjtë hodhën fishekzjarrë në drejtim të policisë, ndërsa kjo e fundit u përgjigj me ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Një përpjekje për të shoqëruar një të ri u pengua nga protestuesit e tjerë, të cilët nuk lejuan efektivët e Forcave Shqiponja që ta merrnin.

Të shoqëruar nga makina e ujit, efektivët arritën të shtyjnë protestuesit larg Rrugës së Durrësit drejt Bankës së Shqipërisë.
Gjatë paradites, protesta u përqendrua te Kryeministria, ku morën pjesë pedagogët, të cilët kërkuan dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama, ndërsa protestues të tjerë kthyen përmbys dhe shkatërruan karriget e vendosura prej tij në mëngjes para selisë, për t’i ftuar për dialog. (A2 Televizion)