“Punëdhënësi im është studenti”, Pedagogia e Drejtësisë i përgjigjet Ramës: Bursën ua jep ligji

Nga A2 CNN
20 Tetor 2026, 12:58 | Aktualitet

Pedagogia e Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, Enkeleda Olldashi, ka shprehur mbështetjen për studentët që prej ditësh protestojnë, duke deklaruar se do të jetë në krah të tyre për sa kohë që kërkesat e tyre nuk marrin zgjidhje.

Në një deklaratë për A2 CNN, Olldashi u shpreh se pedagogët nuk mund të qëndrojnë në auditorë kur studentët janë në shesh.

“Unë kam qenë auditor, por studentë nuk kam patur dhe për këtë arsye në momentin që unë nuk kam studentët në auditor unë shkoj aty ku janë studentët. Studentët e mi kanë qenë në shesh dhe unë jam në shesh. Ne kemi qenë krahas studentëve që në fillimet e kësaj tani kjo është revoltë tashmë dhe nuk është më protestë, është një zemërim. Punëdhënësi im që kur unë kam vendosur ta ushtroj këtë mision dhe profesion është vetëm studenti. Unë nuk kam punëdhënës tjetër. Unë kam pagues që më paguajnë, por punëdhënës, ai ndaj të cilit unë e ofroj shërbimin tim është studenti. Dhe nëse unë nuk kam student, do të thotë që unë nuk mund ta ushtroj këtë profesion”, tha ajo për A2 CNN.

Sipas saj, Pakti për Universitetin i vitit 2018 nuk është zbatuar, pasi sipas saj një marrëveshje nuk duhet të mbetet vetëm në letër, por të përmbushë edhe nevojat e studentëve që nuk janë shprehur përmes kërkesave zyrtare.

“Pakt është një marrëveshje e shkruar, por dhe përtej asaj që është shkruar. Dhe nëse më thua janë plotësuar kërkesat e atyre studentëve që në atë kohë u ngritën dhe ishin të shkruara, kjo nuk është asgjë. Është aspak. Pak do të thotë që qeveria plotëson dhe ato kërkesa të pazëshme, ato kërkesa që qeveria duhet t'i plotësojë ende pa t'u ngritur studenti. Mua më dhëmb fakti që unë sot jam në shesh dhe nuk jam duke lektuar. Më dhëmb më shumë se kryeministri, më dhëmb ky fakt më shumë se çdo person tjetër, sepse unë kam zgjedhur këtë profesion për të lektuar. Nuk kam zgjedhur për të dalë këtu dhe për të kërkuar dhe për të mbrojtur studentët e mi. Por a më duhet ta bëj këtë gjë sot? Më duhet ta bëj, sepse ato parime që unë shpjegoj studentëve të mi në auditor, nuk mund të jenë në letër. Paktet nuk mund të jenë në letër. Prandaj po them parimet që unë ja shpjegoj studentëve duhet të jetësohen. Paktet jetësohen. A është jetësuar pakti i universitetit që ka nisur në 2018n? Jo.”, tha ajo për A2 CNN.

Referuar deklaratave të kryeministrit Rama një ditë më parë, i cili paralajmëroi studentët për heqjen e bursave, pedagogia Olldashi tha se bursën e jep ligji kur plotësohen dy kriteret. Ndërsa ironizoi ftesën e Ramës për dialog.

“Ishin 12 karrige. Çfarë do më tregonte, 12 dishepujt? Ajo ishte një simbolikë, por ndërkohë ka kaluar momenti i simbolikës, sepse kryeministri im dhe i joti dje shantazhoi studentët. Kryeministri tha do t'ju heq bursat studentëve që kanë dalë në protestë. Bursën zoti kryeministër nuk e jepni ju. Bursën e jep ligji. Studentët marrin bursë kur plotësojnë kriteret, sepse janë të shkëlqyer. Marrin bursë sepse mund të vijnë nga familje pa mundësi ekonomike. Bursa ka këto dy shtylla dhe nëse sot po mendon që po shtyp studentët ekselentë dhe studentët që vijnë nga familje të varfra e ke gabim zoti kryeministër. Nuk mundet sepse me atë ke bërë një autogol dje. Ke treguar që në shesh ke studentë që marrin bursë, ke studentë ekselentë. Si mund të shantazhosh familjet e atyre 15-vjeçarëve të cilët kanë filluar të flasin gjuhën e nënës kur ti ishe kryeministër dy vjeç kanë filluar të flasin dhe sot janë 15. Që do të thotë të është kthyer mbrapa ajo që ke mbjellë. Do të thotë arsimi nuk ka qenë ai që duhet. Ktheje gishtin nga vetja zotit kryeministër”.

Ajo ngriti shqetësimin edhe për gjuhën e përdorur nga kryeministri dhe tha se dhuna verbale është presioni psikologjik që mund të dëmtojë një brez të tërë.

"Dhuna që po ndodh në zyrën kryeministrore është dhunë verbale. Dhuna verbale godet më shumë se një gur. Duna verbale tmerron, terrorizon, dëmton një brez të tërë, një gur të vret dhe ti mund të gjakosesh dhe ti mund të plagosesh dhe ti do shërohesh. Ama dhuna verbale është dhunë psikologjike. Po dëmtojmë një gjeneratë të re. Po dëmtojmë ata që nesër do jenë studentët e mi. Më dhëmbin gjimnazistët ndoshta sot më shumë se kurrë”, theksoi ajo për A2 CNN.

Olldashi deklaroi se do të vijojë të mbështesë studentët dhe u shpreh e gatshme të përballet me çdo masë që mund të merret ndaj saj për qëndrimin e mbajtur.

“Po i dal me zë dhe me figurë dhe nëse do të marrë masa ndaj pedagogëve për këtë që po ndodh, le ta marri të parën masë ndaj meje”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos