Përshkallëzohet protesta në Tiranë, marrin flakë pemët te Kryeministria, dëmtohet edhe Kryesia e Kuvendit

Nga A2 CNN
14 Tetor 2026, 18:06 | Aktualitet

Përshkallëzohet protesta në Tiranë, marrin flakë

Situata në protestën e opozitës në Tiranë është përshkallëzuar pasditen e kësaj të mërkure, ku përplasjet mes protestuesve dhe forcave të rendit vijojnë me intensitet të lartë pranë godinës së Kryeministrisë.

Së fundmi, kanë marrë flakë pemët brenda perimetrit të gardhit mbrojtës të Kryeministrisë, ndërsa në zonë janë përhapur tymi dhe flakët.

Protestuesit kanë hedhur gurë dhe bomba molotov në drejtim të godinës, ndërsa policia dhe efektivë të Gardës së Republikës kanë përdorur gaz lotsjellës për të zmbrapsur turmën.

Përplasjet janë shtrirë edhe në zona të tjera të kryeqytetit. Raportohet se protestuesit kanë dëmtuar godinën e Kryesisë së Kuvendit, ndërsa më herët janë raportuar dëmtime edhe në ambientet e Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Brendshme.

Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në rrugën “Ismail Qemali”, situata vijon të jetë e tensionuar. Sipas raportimeve nga vendngjarja, protestuesit kanë dëmtuar pronë publike dhe kanë tentuar të krijojnë barrikada me vazo lulesh dhe blloqe betoni. Ndërkohë, në disa pika janë raportuar vatra zjarri.

Policia ka ndërhyrë me gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë, ndërsa forcat speciale dhe efektivë të njësisë “Shqiponja” janë pozicionuar pranë institucioneve. Edhe punonjës të Gardës së Republikës kanë hedhur gaz lotsjellës nga tarraca e Kryeministrisë drejt protestuesve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos