“13 mijë euro për tatuazhet”, vlonjati tregon investimin marramendës

Nga A2 CNN
8 Maj 2026, 10:34 | Aktualitet

Një i ri nga Vlora i cili ka rreth 80-90% të trupit të mbuluar me tatuazhet ka treguar historinë e tij, një pasion që nisi në moshën 18-vjeçare. Në një intervistë  për Dita Jonë në A2 CNN, Olsi Hasgjeta, rrëfeu se ka realizuar afro 30-35 tatuazhe ndër vite me një kosto rreth 12-13 mijë euro.

“Llogari të saktë nuk kam bërë, pasi tatuazhet e mia janë bërë ndër vite. Nuk e shikoj si investim më shumë. E shikoj si diçka që më pëlqen dhe asnjëherë nuk kam kursyer. Në qoftë se do bëja një llogari të thjeshtë, besoj se mund të kenë shkuar diku te 12-13 mijë euro”, tha ai në Dita Jonë në A2 CNN.

Tatuazhi i parë ka qenë një dedikim për familjen, me numra romakë që simbolizonin datëlindjet e njerëzve më të afërt. Më pas, ai thotë se pasioni iu kthye në një stil jetese, duke e çuar drejt realizimit të tatuazheve në duar, këmbë, kurriz dhe pjesën më të madhe të trupit.

“Kam në pjesën e duarve, pjesën komplet të trupit, kurriz dhe të dy këmbët. Ka nisur fillimisht në moshën 18 vjeç diku para 10 - 11 vjetësh me diçka të vogël. Tatuazhi i parë ka qenë disa numra romakë, kanë qenë ditëlindjet e familjes time dhe avash-avash bëra dy-tre të tjerë. Pastaj vazhdova duke përfunduar njeri në krah dhe pastaj aty vendosa që do bëj pak a shumë gjithë trupin tatuazh”, u shpreh ai në Dita Jonë në A2 CNN.

Ai tregoi se familja fillimisht nuk ka qenë dakord, për shkak të frikës nga paragjykimet dhe sëmundjet që mund të transmetohen gjatë procesit. Sipas tij, se pastërtia dhe profesionalizmi i studios janë elementi më i rëndësishëm për të shmangur çdo rrezik shëndetësor.

“Gjithmonë jam informuar dhe kam zgjedhur studio ku kam pasur besim. Pastërtia është kryesorja”, u shpreh ai, duke shtuar se shpesh mjekët i kanë kërkuar analiza për hepatit për shkak të numrit të madh të tatuazheve, por rezultatet kanë qenë gjithmonë të pastra.

Për të, tatuazhet nuk janë mënyrë për të tërhequr vëmendje, por një zgjedhje personale. Madje, ai preferon të mos i ekspozojë shumë në pjesët më të dukshme si fytyra apo qafa.

“Është zgjedhja ime që mos të kem në vende të dukshme tatuazhet, pasi tatuazhet janë një pasion im dhe unë nuk e bëj thjesht për t'u dukur që ta pëlqejë dikush tjetër, ose thjesht e bëj për qejfin tim dhe nuk dua të më duken t'i ekspozoj më shumë se ç’duhet tatuazhet e mia”.

Tashmë ai nuk ka më hapësirë për tatuazhe të reja, por nuk pendohet për asnjë prej tyre. “I kam menduar mirë të gjitha dhe jam shumë i lumtur me zgjedhjet e mia”, përfundoi ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos