Oltion Biba, nga Kryqi i Kuq Shqiptar, tregoi rastet kur nuk duhet lëvizur një person i përfshirë në aksident.
“Kur ti afrohesh pranë automjetit apo personit të aksidentuar dhe pavarësisht dëmtimeve që ai mund të ketë, ai arrin të flasë, në këtë moment ne nuk duhet ta lëvizim. Sepse detyra më bazike e një dhënësi të ndihmës së parë në ato momente është e plotësuar. Pra, personi arrin të flasë, arrin të marrë frymë, dhe ne mund të presim ambulancën në atë gjendje që personi është. Ne nuk shohim dot dëmtimet që nuk mund të shihen me sy të lirë, siç mund të jenë dëmtime të vertebrave të qafës, shtyllës kryzore, hemorragjitë e brendshme”, shpjegoi Biba në studion e “Dita Jonë” nga Bora Shahini dhe Rei Bezhani, në A2CNN.
“Rripi i sigurimit bën atë sigurinë e bustit të trupit dhe pas një përplasjeje gjithmonë ndodh ajo që e cilësojmë si “lëvizja kamzhik”. Koka do të shkojë përpara tek kroskoti apo tek timoni dhe do të tërhiqet përsëri mbrapa. Pra, vertebrat e qafës kryejnë lëvizjen njësoj si kamzhiku dhe ajo është pjesa më e predispozuar për dëmtim. Dhe në rastet kur personi arrin të flasë, ne nuk duhet ta lëvizim sepse normalisht kur vjen stafi i specializuar mjekësor vendos qaforen dhe merr masa”, shtoi Biba.
(A2 Televizion)