
Kapiteneria e Portit Detar të Vlorës ka njoftuar për përkeqësim të kushteve hidrometeorologjike gjatë datës kësaj të enjteje, si brenda ashtu edhe jashtë Gjirit të Vlorës, duke sjellë masa kufizuese për lundrimin e mjeteve të vogla dhe atyre të peshkimit.
Sipas njoftimit zyrtar, duke nisur nga ora 08:00 e datës 08.05.2026 ka erë të fortë në drejtimin jug-juglindje me forcë deri në 6–7 ballë, me shpejtësi nga 15 deri në 20 m/s, ndërsa lartësia e dallgëve do të arrijë nga 1.5 deri në 2.5 metra.
Për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike, është ndaluar pajisja me leje nisjeje për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit që operojnë jashtë Gjirit të Vlorës, në det të hapur. Ky ndalim do të jetë në fuqi deri në orën 22:00 të së njëjtës ditë.
Autoritetet u kanë bërë thirrje të gjitha subjekteve dhe peshkatarëve që ushtrojnë aktivitet në fushën e detarisë të marrin masa për sigurimin e mjeteve, me qëllim shmangien e çdo situate emergjente.
Ndërkohë, bëhet e ditur se anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vijojnë operimin normalisht sipas destinacioneve përkatëse.
Sipas parashikimeve, përmirësimi i situatës hidrometeorologjike për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit pritet pas orës 22:00 të datës 8 maj 2026. (A2 Televizion)