Deklaratë e përbashkët në Ankara, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur ta nisë me falenderime për homologun e tij Recep Tayyip Erdoğan, ndihmën e të cilit e konsideroi si kyçe sidomos në momente me rëndësi të veçantë, duke filluar që me gatishmërinë gjatë tërmetit shkatërrues të 2019, periudhës së vështirë të pandemisë COVID-19, por edhe në çështje me rëndësi politike, si shpallja e Pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.
Në një deklaratë të përbashkët për shtyp, Rama shprehu edhe njëherë mirënjohjen për presidentin turk, Rexhep Taip Erdogan, pa ndihmën e të cilit, sipas kreut të qeverisë, dëmi në njerëz do të ishte i pallogaritshëm, ndërsa nuk i kurseu notat kritike për Europën, që sipas tij, në kohërat e vështira të pandemisë së koronavirusit, zgjodhi fillimisht "të bënte sehir".
“Sot, ai spital është një pikë referimi, për qytetarët shqiptarë në nevojë për kurim. Pasqyrë e një bashkëpunimi që vazhdon. Pararoja e një transformimi të mëtejshëm të sistemit tonë të shëndetësisë.”
Në kuadër të marrëveshjeve që do të nënshkruhen në Ankara, kryeministri dha edhe lajmin e mirë se tashmë Turqia do të njohë patentat shqiptare.
“Faleminderit për lejet e drejtimit që ju i miratuat. Shqiptarët mund të lëvizin lirisht me lejet e tyre të drejtimit. Nder të dëgjoja Presidentin për opinionin e tij mbi rajonin por edhe situatën në zonat e konfliktit...”
Kreu i qeverisë, vuri po ashtu “në sedër” ministrin e Turizmit që të punojë më shumë pasi numri i turistëve nga Turqia në Shqipëri, siç u shpreh ai, u rrit me 30%
“Shohim potencial të madh edhe në këtë aspekt. I sigurt që ju nuk mërziteni, që po vinë te ne dhe jo në Antalia.”
Në fund të konferencës, kryesocialisti konfirmoi prezencën virtuale të Erdogan në një samit të vendeve të Evropës Juglindore që do të mbahet në Tiranë. Homologun e tij, ai e përshkroi si një njeri të interesuar “me gjithë zemër për ecurinë rajonit, dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe për dëshirën që progresi dhe paqja në rajon të jenë më të forta.” (A2 Televizion)