Zona e Dibrës ishte një nga më të prekurat nga moti i keq që mbërtheu vendin në 24 orët e fundit, me reshje të dendura dëbore, të cilat përfshinë zonat malore, duke bllokuar qarkullimin e mjeteve në Rrugën e Arbrit.
Dhjetëra automjete mbetën të bllokuara në bypass-in e Qafë Murrizit, duke u detyruar në mbrëmje që të kthehen drejt Tiranës. Situatën në terren e vëzhgoi edhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Nga zona e Xibrit ndoqi nga afër përpjekjet e ARRSH-së për hapjen për qarkullim të Rrugës së Arbrit, e cila u bllokua për disa orë dhe u kërkoi qytetarëve që të shmangin lëvizjet e panevojshme në këto akse.
Pas apelit të Ballukut duket se puna për zhbollikimin e Rrugës së Arbrit ka vijuar gjatë gjithë natës me borëpastruese dhe autoritetet bëjnë me dije se gjatë paradites së të dielës është bërë e mundur rihapja për qarkullim të automjeteve.
Gjithashtu akset rrugore Peshkopi-Maqellarë- Bulqizë; Bulqizë - Ura Vashës-Klos; Klos-Burrel-Ulëz, janë të hapura.
“Mbrëmjen e djeshme, Policia e Dibrës u angazhua maksimalisht duke i'u ardhur në ndihmë drejtuesve të automjeteve dhe pasagjerëve që mbeten të bllokuar në Qafë Murrizë, ku me mjetet e policisë të kalueshmërisë së lartë bënë evakuimin e tyre. Firmat e mirëmbajtjes së këtyre akseve rrugore po vijojnë në hedhjen e kriprës dhe pastrimin e rrugës nga akulli”, thuhet në njoftimin e policisë.
Autoritetet ndërkohë përsërisin thirrjen drejtuar përdoruesve të rrugës, që të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes maksimal pasi ka prezencë akulli në rrugë.
(A2 Televizion)