Reshjet e shiut kanë ndihmuar në përmirësimin e situatës së zjarreve në vend. Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 32 vatra zjarri, nga të cilat 28 janë shuar plotësisht, 3 janë nën mbikëqyrje dhe vetëm një vijon të jetë aktive.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, situata në vend paraqitet ndjeshëm më e qetë, ndërsa forcat zjarrfikëse dhe strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë të jenë në terren dhe në gatishmëri.
Vatra e vetme aktive ndodhet në fshatin Gallatë, në njësinë administrative Milot, Bashkia Kurbin. Terreni i vështirë e bën të vështirë ndërhyrjen me mjete, por autoritetet bëjnë me dije se nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Tiranë janë shuar vatrat në Malin e Dajtit dhe në Malin me Gropa, ndërsa në Dibër disa vatra vijojnë të mbahen nën mbikëqyrje.
Edhe në Shkodër, Fier, Mallakastër, Elbasan dhe Korçë, vatrat e raportuara më herët janë shuar.
(A2 Televizion)