
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka komentuar debatet e fundit lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës në Maqedonia e Veriut, duke vënë në dyshim aftësinë e koalicionit VLEN për të realizuar premtimet e bëra ndaj shqiptarëve.
Në një intervistë për “Ditarin e Pasdites” nga Pandi Gjata, Taravari deklaroi se VLEN nuk ka fuqi të mjaftueshme politike brenda qeverisë dhe se afatet e paralajmëruara nga drejtuesit e këtij subjekti duhet të shihen me rezervë, shkruan A2CNN.
“VLEN nuk ka potencë politike. Nuk i llogarit kush si përfaqësues relevant shqiptar në qeveri. Mickoski praktikisht i mban si kukulla, vetëm sa për të thënë që ka shqiptarë në qeveri. Nuk është një përfaqësim real, por një prezencë formale pa ndikim.”, tha ai.
“Afatet që jepen nga VLEN për zgjidhjen e çështjeve, përfshirë edhe provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, duhet të merren me shumë rezervë, sepse deri tani nuk është parë asnjë rezultat konkret.”, shtoi ai. (A2 Televizion)