
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka reaguar pas publikimit të udhëzimit të Ministrisë së Shëndetësisë në tërësi, dhe në veçanti pjesën, ku ndër të tjera thuhet: “Terapia mund të nisë nga mosha 16 vjeç, ndërsa në raste të veçanta, mund të konsiderohet edhe nga mosha 14 vjeç.”
Në një postim në rrjetet sociale KMSH thekson se është kundër ligjit për barazinë gjinore dhe derivateve të tjera të tij si në rastin konkret.
“Udhëzime të tilla përbëjnë një çështje jashtëzakonisht delikate, që prek drejtpërdrejt zhvillimin fizik, emocional dhe psikologjik sidomos të fëmijëve dhe adoleshentëve tanë. Për këtë arsye, çdo hap institucional në këtë drejtim duhet të trajtohet me kujdes maksimal, përgjegjësi të lartë dhe ndjeshmëri ndaj vlerave të shoqërisë shqiptare”.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë shpreh kundërshtimin e tij ndaj çdo qasjeje që hap rrugë për ndërhyrje hormonale në mosha të tilla, pasi lë pasoja në jetën e tyre.
“Ne besojmë se të miturit nuk duhet të vendosen përballë proceseve me pasoja të thella dhe afatgjata për jetën e tyre, në një periudhë kur personaliteti dhe identiteti i tyre janë ende në formim.
Fëmijët kanë nevojë për mbrojtje, orientim, mbështetje familjare dhe kujdes profesional të përgjegjshëm.
Shoqëria jonë nuk duhet të normalizojë praktika që krijojnë paqartësi dhe tension social në raport me natyrën njerëzore, familjen dhe edukimin e brezave të rinj”.
KMSH i bën thirrje institucioneve shtetërore, profesionistëve të shëndetit, prindërve dhe gjithë aktorëve shoqërorë që çështje të tilla të mos trajtohen me nxitim apo nën ndikimin e trendeve ideologjike të përkohshme, por me maturi, dialog të gjerë dhe përgjegjësi kombëtare.
Ne qëndrojmë pranë shqetësimit të shumë prindërve dhe besimtarëve, të cilët kërkojnë ruajtjen e vlerave familjare, mbrojtjen e fëmijëve dhe respektimin e ndjeshmërisë morale e kulturore të shoqërisë sonë. (A2 Televizion)