“Serbët po shanin shqip shqiponjën”, revolta e sipërmarrësit në Lepushë për 15 motoristët serbë

Nga A2 CNN
3 Qershor 2026, 08:53 | Aktualitet

Një incident i pazakontë ka ndodhur në Lepushë, ku sipërmarrësi Irdian Pëllumbaj pretendon se ka përzënë nga restoranti i tij një grup prej 15 motoristësh serbë, të cilët sipas tij ofenduan simbolet kombëtare shqiptare në gjuhën shqipe dhe në serbisht.

Në një lidhje me Dita Jonë në A2 CNN, Pëllumbaj tregoi se ngjarja ka ndodhur më 28 maj, kur grupi i turistëve mbërriti në restorantin e tij. Sipas tij, sjellja e tyre ngjalli dyshime që në fillim, pasi kërkuan vetëm katër kafe për 15 persona dhe u grumbulluan pranë simbolit të shqiponjës shqiptare të vendosur në ambientet e biznesit.

“E dëgjova me veshët e mi. Njëri prej tyre ishte pranë simbolit dhe po e ofendonte drejpërdrejt shqiponjën shqiptare dhe Shqipërinë. Të tjerët po filmonin me telefon. E përsëriti 3 herë. Kamerat e biznesit nuk kanë zë. Aty i kishin lënë kafet. Nuk kishin ardhur për kafet. Më pas dola unë i thashë di shqip kush? Isha pak me nerva. Tha pak. Pranë simbolit shanë shqip. Pastaj folën serbisht”, tha Pëllumbaj.

Ai tregoi se iu afrua grupit për të kërkuar shpjegime, ndërsa situata u tensionua më tej pasi, sipas tij, turistët vijuan komunikimin në gjuhën serbe dhe u larguan menjëherë nga vendi.

“Njëri prej tyre erdh me na heq vëmendjen brenda. Njëri me jelekun e verdhë shkoi te flamuri. Po unë e kam dy metra diçka ishte afër. Po shante shqip, bënte video të tjerët të restorantit. Kishin dalë atje jashtë kamera edhe po bënin video. I them nuses thuaj a ka ndonjë problem me atë simbolin aty? I thotë nusja dhe njëri prej tyre ja bëri me kokë për me ik se ishte duke ofenduar shqip”.

Sipërmarrësi deklaroi se një ditë më vonë refuzoi t’u shërbente edhe dy motoristëve të tjerë nga Serbia, të cilët sipas tij i thanë se grupi i mëparshëm nuk përfaqësonte turistë të zakonshëm.

Pëllumbaj tha se pas publikimit të videos ka marrë edhe komente kërcënuese në rrjetet sociale, ndërsa shtoi se reagimi i tij ishte i motivuar nga mbrojtja e simboleve kombëtare.

“Kur të shajnë flamurin dhe shqiponjën në shtëpinë tënde, të zien gjaku. Megjithatë u përmbajta, edhe sepse pranë meje ishte vajza ime 8-vjeçare”, u shpreh ai.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos