
Qeveria portugeze ka reaguar për vrasjen e një turisti 20-vjeçar në Shqipëri, duke konfirmuar se po e ndjek nga afër ngjarjen. Ministria e Jashtme e Portugalisë thotë se, për momentin, nuk ka marrë informacion zyrtar nga autoritetet shqiptare mbi rrethanat e vrasjes.
Qeveria portugeze po e ndjek nga afër rastin e vrasjes së shtetasit të saj në Shqipëri. Kështu bën të ditur media Renascença, e cila citon një deklaratë të marrë nga zyra e ministrit të Jashtëm. Një zyrtare nënvizon se nuk ka marrë ende informacione zyrtare për atë që ka ndodhur apo për veprimet që janë ndërmarrë nga autoritetet shqiptare.
“Ministria e Punëve të Jashtme po e ndjek rastin e këtij shtetasi portugez që ka ndërruar jetë në Shqipëri dhe, përmes ambasadës së saj në Romë, si edhe konsullatës së nderit në Tiranë, po e ndjekim çështjen së bashku me autoritetet lokale.”
20-vjeçari, i cili po kalonte pushimet në Ksamil, humbi jetën në orët e para të mëngjesit të së martës, pas një përleshjeje të dyshuar me mjete prerëse.
Zyrtarja konfirmoi për median në fjalë se “për momentin, ende nuk dihet saktësisht se çfarë ka ndodhur”.
“Dimë nga mediat lokale se ka pasur arrestime, por për momentin ende nuk kemi informacion përmes rrjetit tonë që mund t’ua përcjellim”, shtoi Raquel Trindade.
Ajo siguroi se Ministria e Punëve të Jashtme do të “vazhdojë të ndjekë gjithçka që është e nevojshme, si me autoritetet lokale, ashtu edhe me familjarët”.
11 persona janë arrestuar në lidhje me vrasjen e të riut portugez. I dyshuari kryesor për goditjen me thikë është një 29-vjeçar, Sokrat Lipan, alias Sokrat Vata, i cili ka precedentë penalë në Mbretërinë e Bashkuar për vepra të lidhura me trafikun e drogës, mbajtjen e armëve dhe drejtimin e rrezikshëm të automjetit. (A2 Televizion)