Gjenerali Dedë Prenga, i ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN, ka ngritur shqetësimin për mosmbledhjen e Këshilli i Sigurisë Kombëtare.
Sipas tij, arsyeja kryesore lidhet me mungesën e seriozitetit dhe vlerësimit të situatës nga strukturat këshillimore pranë komandantit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura, përfshirë këshilltarin për mbrojtjen dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, si dhe Ministrin e Mbrojtjes.
Prenga theksoi se këto institucione kanë detyrimin të informojnë dhe të propozojnë mbledhjen e Këshillit, duke shtuar se është i bindur që ekzistojnë relacione dhe analiza mbi situatën, të cilat duhet të çonin në një mbledhje për koordinim.
“Këshilltari për mbrojtjen, që është gjeneral, dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, që është po ashtu këshilltar, bashkë me Ministrin e Mbrojtjes, duhet ta kishin informuar dhe ai duhet të kishte dëgjuar.
Për mua, detyrimisht ka relacione. Nuk kam një fakt konkret, por jam i bindur që ekzistojnë dhe mund të jetë propozuar, sepse për këtë mbahet në fund fare dhe duhet të ishte mbledhur për të koordinuar në mënyrën më të lehtë dhe të domosdoshme.”, tha Prenga
“Pjesën më të madhe të anëtarëve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare i ka në kabinet dhe mund të ketë bërë mbledhje, nuk e vë në dyshim këtë.
Por ai që i koordinon, mbi palët, është Presidenti, kryetar i shtetit dhe komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura, që ka aksesin ligjor dhe detyrimin për ta mbledhur sa herë që i vijnë këshilla dhe e sheh të nevojshme, në varësi të zhvillimeve të brendshme, rajonale apo më gjerë.”, tha Prenga.
(A2 Televizion)