
Prefektja e Vlorës, Evis Allushi, nga Himara ka treguar situatën e zjarrit në qytetin bregdetar. Allushi pohon se situata është përmirësuar ku mëngjesin e sotëm ka nisur edhe ndërhyrja nga ajri.
Në terren ndodhen rreth 170 efektivë të Forcave të Armatosura, ndërsa operacioni është përqendruar kryesisht në zonën e kodrës së Pilurit.
“Situata është përmirësuar, mbahet e monitoruar dhe nën kontroll. Në orët e para të mëngjesit ka mbërritur edhe helikopteri i parë për ndërhyrje nga ajri. Pritet që operacionit t’i bashkohet edhe një helikopter tjetër. Gjatë natës rreziku më i madh ishte evidentuar në zonën e Potamit, por ai tashmë është neutralizuar dhe nuk paraqet rrezik për zonat e banuara. Janë prekur nga zjarri gjashtë banesa, tre prej të cilave kanë qenë të banuara dhe tre të pabanuara. Ndërsa 36 banorë janë evakuuar gjatë natës”, tha Allushi.
Në Himarë ndodhet edhe ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari. Forcat zjarrfikëse dhe ekipet e tjera të emergjencave vijojnë ndërhyrjen nga toka dhe ajri, me fokus shuarjen e vatrave aktive dhe parandalimin e çdo përhapjeje të mëtejshme të flakëve.
Lamallari dhe Allushi po ndjekin nga afër situatën në terren dhe po koordinojnë punën e strukturave të angazhuara në operacion. (A2 Televizion)