Fieri në betejë me zjarret, 90 ushtarë në terren, nis ndërhyrja nga ajri

Nga A2 CNN
5 Shtator 2026, 09:00 | Aktualitet

Vijon beteja me zjarret në Fier, pas një nate të vështirë ku flakët përfshinë disa zona dhe rrezikuan banesa, biznese dhe banorë. Të favorizuara nga era e fortë, vatrat u përhapën në Fermë Çlirim, Radostinë, Levan, Peshtan i Vogël, Frakull dhe Zhupan, ndërsa gjatë natës ndërhyrja u vështirësua nga errësira dhe terreni i thyer. Situata më problematike u paraqit në kodrat e Levanit dhe Radostinës, ndërsa flakët avancuan edhe në drejtim të Peshtanit.

Me zbardhjen e ditës operacioni ka rifilluar me forca të shtuara, ndërsa 90 efektivë të Forcave të Armatosura të repartit të Poshnjës janë angazhuar në vatrën e Frakullës. Në terren ndodhen gjithashtu 7 mjete zjarrfikëse, ndërsa ka nisur edhe ndërhyrja nga ajri. Në Frakull flakët kanë përfshirë një masiv me pisha, duke shkaktuar prani të lartë tymi dhe duke e bërë ndërhyrjen edhe më të vështirë.

Vatra vijon të përhapet në drejtim të fshatit Peshtan, por aktualisht ndodhet larg zonave të banuara. Operacioni vijon për izolimin dhe vënien nën kontroll të flakëve, pas një dite ku zjarret prekën rëndë gjashtë fshatra të qarkut të Fierit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos