Dega e një banke të nivelit të dytë në Tiranë është shkatërruar plotësisht nga protestuesit në Rrugën e Durrësit. Përveç xhamave të thyer, demonstruesit janë futur brenda dhe kanë shkatërruar raftet dhe dokumentet që ndodheshin aty, por deri më tani nuk ka raportime për marrje të shumave të parave, që ruhen në kasafortë. Punonjësit e bankës janë larguar ndërsa aty nuk ka as prani të policisë private që ruan objektin.
Protestuesit, kryesisht studentë, kanë ndezur zjarr në koshat e mbetjeve, kanë hedhur gurë e molotovë drejt policisë, ndërsa kjo e fundit është kundërpërgjigjur me ujë me piper dhe gaz lotsjellës.
Prej disa orësh tashmë, Rruga e Durrësit është shndërruar në arnë përplasjeje mes protestuesve dhe policisë. Këtë të mërkurë bojkotit të mësimit iu bashkuan edhe studëntë të Universitetit të Mjekësisë, Fakultetit të Shkencave të Natyrës, por edhe gjimnazistë.
Një ditë më parë disa persona mbetën të lënduar nga përplasjet, ndërsa Policia e Tiranës njoftoi se ka arrestuar 16 persona dhe ka proceduar penalisht 49 të tjerë. (A2 Televizion)