Policia e Shtetit ka përdorur gaz lotsjellës dhe tymuese për të shpërndarë protestuesit para Ministrisë së Arsimit. Zjarri në disa kosha të mbetjeve ka bërë që efektivët të vihen në lëvizje dhe të mësyjnë drejt turmës, duke shoqëruar disa persona, ndërsa pjesa më e madhe e protestuesve është spotsuar.
Policia e Shtetit u ka bërë thirrje pjesëmarrësve në tubim të ruajnë qetësinë dhe të distancohen nga aktet e dhunës. “Të shmangin çdo akt dhune dhe të distancohen nga personat e maskuar që po sulmojnë punonjësit e Policisë dhe po dëmtojnë pronën publike e private. E drejta për të protestuar është e garantuar me Kushtetutë, por dhuna ndaj punonjësve të Policisë, qytetarëve dhe institucioneve është e papranueshme dhe e dënueshme me ligj. Dhuna nuk tolerohet”, tha policia.
Fillimisht protestuesit kanë shkulur kangjellat dhe i kanë vendosur si barriera në rrugë, për të krijuar ndarje me forcat e policisë, shkruan A2 CNN. Më parë hodhën gurë brenda godinës së Ministrisë së Arsimit.
Kjo është dita e dytë e protestës studentore. Të mërkurën disa universitete dhe fakultete bojkotuan mësimin dhe marshuan nëpër rrugët e Tiranës drejt Ministrisë së Arsimit. Edhe nxënësit e gjimnazit “Partizani” bllokuan rrugën para shkollës së tyre dhe bojkotuan mësimin. Deri më tani nuk janë shënuar përplasje me forcat e rendit, siç ndodhi të martën.
Policia e Tiranës njoftoi se ka arrestuar 16 persona dhe ka proceduar penalisht 49 të tjerë për shkak se ushtruan dhunë ndaj punonjësve të Policisë, dëmtuan institucione shtetërore dhe subjekte private, si dhe shkatërruan bankomate, kamera dhe rrethime metalike gjatë tubimit të së martës. (A2 Televizion)