Fshati i tyre ndodhet në luginën e Vjosës, por prej vitesh fermerët dhe banorët e Bishanit vuajnë për ujë për vaditjen e tokave dhe prodhimeve bujqësore.
Si në çdo fshat në Myzeqe, edhe Bishani të ardhurat kryesore të banorëve sigurohen nga prodhimet bujqësore.
Por mungesa e ujit për vaditje ka bërë që si cilësia ashtu edhe sasia e kulturave bujqësore të vijë gjithnjë në rënie, raporton A2 CNN.
Kush ka pasur mundësi ekonomike kanë shpuar puse, ndërsa të tjerë që kanë shpresuar tek natyra e kanë prodhimin në arë thuajse të tharë.
Burime nga Drejtoria Rajonale e Bordit të Kullimit pohuan për A2 CNN se menaxhimi i ujërave të vaditjes bëhet nga bordi i kullimit e menaxhimit të tokave në bashki për kanalet dytësore pasi kolektori kryesor është i hapur dhe ka ujë për të gjithë zonën e Myzeqesë.
Kanalet dytësore dhe ata kulluese dhe vaditës duhet të menaxhohen nga bashkitë dhe vetë fermerët./A2CNN (A2 Televizion)