
Një tentativë vjedhjeje është regjistruar në një argjendari në qytetin e Pogradec, duke rikthyer shqetësimin për sigurinë e bizneseve në zonë. Sipas pronarit të argjendarisë, kjo është hera e tretë që biznesi i tij bëhet objekt i grabitësve.
Pronari tregon për A2CNN autorët kanë hyrë në ambientet e dyqanit gjatë natës, por nuk kanë arritur të marrin sende me vlerë për shkak të aktivizimit të sistemit të alarmit.

“Ishin tre persona, të maskuar. Kanë hyrë brenda, por janë trembur nga alarmi dhe janë larguar pa marrë gjë,” shprehet pronari.
Ai thekson se kjo nuk është hera e parë që përballet me ngjarje të tilla, ndërsa dy rastet e mëparshme nuk janë zbardhur nga autoritetet. Sipas tij, dëmi i pësuar më herët arrin në rreth 15 mijë euro.
“Është hera e tretë që biznesi im vidhet. Unë kam besim vetëm tek ju mediat, jo tek policia. Edhe dy herët e para nuk janë zbardhur. Shpresoj të ndodhë këtë herë,” thotë ai.
Pronari shpreh gjithashtu frikën dhe pasigurinë që ka krijuar situata, duke theksuar se aktiviteti i biznesit është vështirësuar ndjeshëm.
“Kemi frikë. Nuk shesim dot, nuk qëndrojmë dot, shikoni çfarë është bërë,” shton ai. Ndërkohë, pritet që policia të nisë hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
(A2 Televizion)