Si çdo 7 mars, dhuratat për mësuesit, shërbëtorët e dijes, mbeten thuajse të njëjtat. Madje nuk kanë ndryshuar shumë ndër vite, edhe pse kanë ndryshuar brezat.
“Na pëlqen kur nxënësit na dhurojnë lule, çokollatë, libër bllok, nuk ka ndryshuar shumë. Ka respekt dhe lule më shumë”, thotë mësuesi Artan Nuriu.
Mirëpo në shkolla, mungojnë në 4 vitet e fundit afro 2mijë arsimtarë. Shkak është pagesa.
“Punë fisnike, por e keq paguar. Duhet punuar për rritjen e cilësisë së arsimit, duke nisur nga nxënësit e mësimdhënia”.
Madje disa mësues e kanë braktisur profesionin për të punuar aty ku ka më shumë të ardhura.
“Largim masiv. Ka shumë mësues, edhe këtu në Tiranë, që kanë hequr dorë nga profesioni për shkak se paguhen me shumë diku tjetër. Duhet ta ngremë më lart figurën e mësuesit”.
Mësues Artanit i kanë mbetur edhe pak vite në këtë profesion, për të cilin i vjen keq të shkëputet.
“Dua dhe 4 vite të plotësoj ciklin 40 vjeçar në këtë profesion. Është nostalgji dhe më vjen keq që do shkëputem”. (A2 Televizion)