Ndryshe nga pjesa e parë e vitit kur numri i aksidenteve ishte në rënie, shtimi i lëvizjeve si pasojë e turizmit ka rritur ndjeshëm fenomenin në Shqipëri. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se në 6 muajt e parë të vitit u regjistruan 767 aksidente, me mbizotërim në muajin qershor.
“Janë rrugët dhe siguria e tyre, aftësia e drejtuesve të mjeteve dhe përgjegjshmëria e strukturave që monitorojnë trafiku. Këto 3 elemente nuk respektohen siç duhet që çojnë në rastin e një aksidenti”, thotë për A2 CNN Mamir Hodo, ekspert i sigurisë rrugore.
Është sjellja e drejtuesit të mjetit kryesisht të meshkujve, që ka ndikuar në rritjen e rasteve të aksidenteve por dhe shtimit të plagosjeve dhe vdekjeve. 659 aksidentet kanë ndodhur si pasojë e shoferëve që kanë cuar në 935 plagosje dhe vdekje në total.
“Edukata rrugore, përgatitja e drejtuesve të mjeteve në auotshkolla, serioziteti në rrugë kjo duhet të na dërgojë në të njëjtën situatë si në Europë”, thotë Hodo.
Ndonëse në muajin me më shumë aksidente ishte grupmosha deri në 24 vjeç shkaktarja kryesore, në gjysmën e parë të vitit grupmosha e të rinjve 25-34 vjeç që “përgjakën” rrugët e Shqipërisë.
Moszbatimi i sistemit bonus malus i cili dënon shoferët përsëritës sipas ekspertëve ka ndikuar në këtë shtim të aksidenteve.
“Ne nuk jemi keq për gjobën që do paguaj në shtet ai, shteti nuk vuan për këtë gjë, por duhet të dënohen ata. Gjobat duhet të jenë të larta dhe jo si të një qytetari që aksidentohet për herë të parë”, thotë Hodo.
Më shumë aksidente kanë ndodhur ditën e premte në oraret e paradites ku dhe lëvizjet e qytetarëve për të pushuar fundjavave janë edhe më të larta.
Tirana mbizotëron në numrin e aksidenteve pasuar nga Durrësi e Lezha. (A2 Televizion)