30 vatra zjarri janë raportuar në 24 orët e fundit, nga të cilat 22 janë shuar. Janë këto të dhënat më të fundit të Ministrisë së Mbrojtjes, sipas të cilës është shuar edhe vatra e zjarrit ne fshatin Malecaj të bashkisë Lezhë për të cilën u angazhuan prej ditësh forcat e pushtetit vendor të mbështetura nga Forcat e Armatosura.
Gjatë ditës së sotme vijojnë të jenë aktive vatrat e zjarrit në vendgrumbullimin e mbetjeve të Bashkisë Vlorë, ku situata paraqitet më e përmirësuar.
Zjarri në fshatin Torovicë të bashkisë Lezhë, ditën e sotme vijon me intensitet të ulët, janë angazhuar për shuarjen e tij shërbimi zjarrfikës dhe struktura vullnetare.
Zjarri në fshatin Mal Shëngjin, ku ditën e djeshme është arritur vënia nën kontroll e tij, por si pasojë e erës së fortë është përkeqësuar sërish.
Po vijojnë operacionin ditën e sotme strukturat vendore të mbështetura nga Forcat e Armatosura.
Po punohet edhe për shuarjen e zjarrit në fshatin Zogaj, bashkia Tropojë dhe pjesërisht në bashkinë Has, ku janë angazhuar ditën e sotme strukturat vendore të dy bashkive të mbështetura nga Forcat e Armatosura.
Aktive janë vatrat në fshatin Hoten, bashkia Vau Dejes, në bashkinë Fushë Arrëz, në fshatin Xhathe, i cili dje mori përmasa të menjëhershme si pasojë e erës së fortë. Vijon edhe këtu operacioni i strukturave vendore, mbështetur nga efektivët e FA.
Në vatrën e zjarrit në fshatin Zavalinë, në Elbasan dje u bë e mundur shmangia e rrezikut të kalimit të zjarrit në kurorën e pishave edhe me angazhimin e FA. Po ashtu po punohet edhe në një tjetër vatër në bashkinë Maliq, fshati Lozhan-Bode.
Ministria përsërit thirrjen për banorët që të raportojnë në kohë pranë strukturave vendore çdo vatër të konstatuari, në mënyrë që të parandalohet përhapja në sipërfaqe më të gjera! (A2 Televizion)