U merrte punonjëseve 25 mijë lekë në muaj, arrestohet bashkëshorti i ish-drejtoreshës së Postës së Durrësit

Nga A2 CNN
5 Tetor 2026, 16:57 | Aktualitet

U merrte punonjëseve 25 mijë lekë në muaj, arrestohet

Policia e Durrësit ka ekzekutuar vendimin e gjykatës për arrestimin e Feta Matajt, bashkëshortit të ish-drejtoreshës së Postës Shqiptare, filiali Durrës, Elisabeta Mataj.

Sipas burimeve për gazetaren e A2CNN Elitjona Doko, Feta Mataj, 44 vjeç, është arrestuar pas dyshimeve se u kërkonte punonjëseve të Postës së Durrësit nga 25 mijë lekë të rinj çdo muaj, në periudhën kur bashkëshortja e tij drejtonte filialin.

Matajt, i cili pak ditë më parë ishte emëruar zv.drejtor i ndërmarrjes komunale të pastrim-gjelbërimit në Bashkinë Durrës, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, ai dyshohet për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, kryer në bashkëpunim”.

Dyshimet ndaj tij janë ngritur në kuadër të hetimeve për rastin e Postës së Durrësit. Gjatë marrjes në pyetje, një punonjëse e filialit dyshohet se ka deklaruar se Feta Mataj u kërkonte punonjëseve pagesën mujore.

Bashkëshortja e tij, Elisabeta Mataj, ish-drejtoreshë e Postës Shqiptare, filiali Durrës, ndodhet nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe është nën hetim për dyshime lidhur me përvetësimin e rreth 69 milionë lekëve, fonde të destinuara për qytetarët në degët e Postës në Shijak dhe Krujë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos