
Gjashtë fëmijë të kopshtit nr. 17 në qytetin e Korçës, të cilët kanë shfaqur shenja të dyshuara helmimi, kanë marrë trajtim mjekësor në repartin e Pediatrisë të Spitalit Rajonal të Korçës.
Pas trajtimit, fëmijët janë larguar nga spitali dhe ndodhen në banesat e tyre. Burime pranë spitalit bëjnë me dije se gjendja e tyre shëndetësore është e stabilizuar, ndërsa priten përgjigjet e analizave për të përcaktuar shkakun e shqetësimeve te paraqitura.
Ndërkohë, mësohet se edhe fëmijë të tjerë që frekuentojnë të njëjtin kopsht kanë shfaqur shenja të ngjashme, por janë trajtuar nga prindërit në banesat e tyre dhe nuk kanë pasur nevojë për trajtim spitalor.
Për rastin ka nisur hetimi nga Policia, ndërsa pritet që analizat dhe verifikimet e autoriteteve të përcaktojnë shkakun e këtyre shqetësimeve shëndetësore.

“Ne ishim ata që e morëm fëmijën nga kopshti. Në momentin e parë kishte vetëm pak dhimbje të vogla barku. Menduan se ndoshta ishin shqetësime të zakonshme për fëmijët e kësaj moshe dhe nuk i kushtuan shumë rëndësi. Më pas fëmija fjeti dhe, kur u ngrit nga gjumi, filluan të vjellat, të cilat nisën të shtoheshin hap pas hapi. E pamë që situata po vështirësohej dhe shkuam në urgjencën e spitalit, ku mori trajtimin e nevojshëm", tregon një nga prindërit.
"Për momentin fëmija është mirë, është stabilizuar dhe ka nisur të bëjë rutinën e tij të përditshme. Nuk është rikthyer plotësisht në gjendjen që ka qenë, por është goxha mirë dhe ka pasur përmirësim krahasuar me ditët e para. Me sa më thanë në spital, bëhej fjalë për një helmim që mund të kishte ardhur nga ushqimet. Ndoshta mund të ketë ardhur edhe nga ndonjë produkt tjetër, nuk e di saktësisht se çfarë mund të ketë ndodhur. Por, sipas tyre, pjesa kryesore mund të lidhej me ushqimet, ndoshta me pilafin që kishte ngrënë ose me kosin. Nuk e di saktësisht se nga çfarë mund të ketë qenë”, vijon ai. (A2 Televizion)