Nis sot viti i ri akademik, rritet numri i studentëve në Durrës për degët që lidhen me tregun e punës

Nga Elitjona Doko
5 Tetor 2026, 07:38 | Aktualitet

Nis sot viti i ri akademik, rritet numri i studentëve në Durrës

Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës e nis vitin akademik 2026-2027 me rreth 1,800 studentë të rinj, pas përmbylljes së raundit të dytë të regjistrimeve. Sipas të dhënave nga UAMD, numri parashikohet të jetë rreth 100 më shumë se një vit më parë. Në të gjitha ciklet e studimit, universiteti numëron rreth 17,500 studentë.

Ndër degët më të kërkuara janë Administrim Biznesi dhe Financë-Kontabilitet. Universiteti vëren një orientim në rritje drejt programeve që lidhen me tregun e punës dhe ofrojnë mundësi studimi e punësimi ndërkombëtar. Këtë vit, numri i programeve me diploma duale pritet të kalojë 20, ndërsa rreth 67 studentë të huaj janë regjistruar ose ndodhen në proces regjistrimi. Është miratuar gjithashtu programi profesional dyvjeçar “Guidë Turistike”, që krijon mundësi për lidhjen e studimeve me njohjen profesionale dhe licencimin.

Në infrastrukturë, zhvillimi kryesor është inaugurimi i godinës së re të Fakultetit të Studimeve Profesionale, me 26 auditorë dhe 21 laboratorë, si edhe hapësira për bibliotekë, konferenca dhe aktivitete sportive.

Megjithatë, akomodimi dhe transporti mbeten dy sfida konkrete. Për strehimin, universiteti e lidh zgjidhjen afatgjatë me projektin e kampusit të ri. Për studentët që udhëtojnë nga Tirana, synohet krijimi i një linje direkte drejt universitetit në Spitallë, por edhe këtë vit asgjë konkrete. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos