Rozalinda Metushi, kunata e Ilir Sinajt, 40-vjeçarit i cili u shtrua në spital për zgjerim të aortës por përfundoi me probleme të tjera shëndetësore që i rrezikojnë jetën, rrëfeu historinë e dhimbshme në emisionin “Dita Jonë” në A2CNN. Sipas saj, familja vendosi ta dërgonte urgjentisht në Itali, pasi çdo ditë qëndrimi në QSUT po ia përkeqësonte gjendjen. Sipas Rozalinda Metushit trajtimi dhe kushtet higjeno-sanitare i kanë shkaktuar infeksion në gjak dhe probleme me zorrët.
“Duke qenë se nuk kishim shumë kohë për ta nisur në Turqi, sepse çdo sekondë që kalonte te QSUT-ja, ia përkeqësonte situatën, vendosëm që ta nisim Ilirin në Itali. Është në Itali, ka shkuar dje në mëngjes. Mjekët aty i kanë nxjerrë probleme të tjera, duke qenë se te QSUT s’i kanë bërë asnjë lloj gjëje që të ishte efikase, vetëm ia kanë përkeqësuar gjendjen. E vetmja gjë që i kanë bërë është morfinë për t’i ndaluar dhimbjen, por ai sërish ndiente shumë dhimbje”.
Ajo tregoi se Ilir Sinaj kishte pasur edhe më herët probleme shëndetësore, ndërsa gjendja u rëndua pas simptomave të forta që e detyruan familjen ta dërgonte fillimisht në Urgjencën e Vlorës dhe më pas në Tiranë.
“Para disa vitesh ka pësuar një tip ataku kardiak, dhe pastaj shkoi në spital dhe bëri analiza. Në fillim i thanë s’ka gjë, dhe pastaj i nxorën problemin me aortën. Për momentin ka probleme me mushkritë dhe zorrës. Gjysmat e zorrëve nuk i funksionojnë për shkak të morfinës. Filloi me të vjella dhe pastaj iu mpinë këmbët. Motra e çoi direkt në spital te Urgjenca e Vlorës, dhe ata e nisën në Tiranë”.
Familjarët pretendojnë se qëndrimi 8-ditor në QSUT i shkaktoi pacientit infeksion në gjak për shkak të kushteve higjeno-sanitare.
“Gabimi jonë ishte që pranuam të qëndronte kaq gjatë te QSUT-ja, sepse duhet ta kishim lëvizur më herët. Doktorët aty thoshin që nëse lëviz do ketë hemorragji të brendshme. Mjekët kanë thënë se operacioni kushton më shumë se 150 mijë euro. Deri tani janë mbledhur 35 mijë euro. Gjaku i ka marrë infeksion nga qëndrimi në QSUT për 8 ditë. Mjekët në Itali këtë kanë konstatuar. Kushtet higjeno-sanitare. Në momentin që u shtrua aorta s’ishte më problemi kryesor, sepse gjysmën e zorrëve tani i ka jashtë funksionit, dhe infeksionin e gjakut”. (A2 Televizion)