“Ulje temperaturash dhe reshje shiu”, si do të jetë moti në fundjavë

Nga A2 CNN
9 Tetor 2026, 08:51 | Aktualitet

Dita e sotme do të vijojë me reshje shiu dhe rrebeshe të shpeshta në veri dhe herë pas here dhe në skajin jugor të vendit. Meteorologia e A2 CNN Tanja Porja tha në Dita jonë, se reshjet e shiut do të vijojnë gjatë fundjavës në Shqipëri, me rrebeshe afatshkurtra në pjesën më të madhe të territorit. Sipas saj përmirësimi i motit pritet të nisë nga gjysma e dytë e së dielës.

“Sot gjatë gjithë ditës do të kemi reshje shiu, reshje në formën e rrebesheve të shpeshta në veri, veri perëndim dhe herë pas here dhe në skajin jugor, ndërsa pjesa tjetër e territorit do të ketë reshje më të pakta. Kjo situatë deri vonë pasdite, afër mbrëmjes presim një përmirësim të situatës. Një përmirësim i përkohshëm pasi gjatë natës mund të kemi reshje në zona të izoluara, kryesisht në qendër dhe në zonat lindore. Ndërkohë nesër përsëri presim përsëri rrebeshe afatshkurtra këtë herë jo vetëm në veri Perëndim, por rrebeshe afatshkurtra në thuajse në të gjithë territorin shqiptar. Do të jenë rrebeshe afatshkurtra dhe zgjasin kryesisht në pjesën e dytë së shtunës dhe deri pjesën e parë të së dielës. Më pas kemi një qetësim të ndjeshëm dhe të dukshëm të situatës, sepse pjesa e dytës së dielës vetëm me ndonjë reshje të pakët në zona të izoluara. Në të njëjtat kushte vijon dita e hënë dhe akoma më pak dita e martë ndërsa të mërkurën presim më të kthjellët me vranësira kalimtare”, tha meteorologia e A2 CNN.

Sipas saj temperaturat do të pësojnë rënie graduale, veçanërisht nga e hëna dhe e marta, me ardhjen e një mase ajrore të ftohtë nga veriu i kontinentit. Në mesjavë, temperaturat maksimale pritet të zbresin deri në 17°C, ndërsa në zonat e thella malore minimalet mund të arrijnë 2-3°C. Të martën dhe të mërkurën parashikohen edhe reshje dëbore në zonat e larta malore të Ballkanit.

“Në zonat e thella malore në rajonin e Ballkanit do të kemi ditën e martë shfaqjen e reshjeve të dëborës, ditën e martë dhe më pak të mërkurën pasi masa ajrore e ftohtë nga veriu i kontinentit do të sjellë kryesisht kthjellime në rajonin e Ballkanit. Ndërsa për ditën e sotme Ballkani është në të njëjtat kushte si territorit shqiptar. Vetëm mbetet Greqia dhe një pjesë e Bullgari, Rumani dhe pak Turqia, pjesa tjetër e Ballkanit që nga Budapesti dhe deri në Slloveni kemi reshje në formën e rrebesheve afatshkurtra”.

Porja thekson se “Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi dhe kryesisht zonat e banuara nga shqiptarët për Maqedoninë, por edhe për Malin e Zi, reshje me intensitet mesatare dhe të larta gjatë gjithë ditës së sotme deri vonë në mbrëmje dhe është pak a shumë e njëjta situatë edhe për të shtunë të dielën dhe më pas e hëna dhe tutje kryesisht kthjellime”.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos