Vendimi i Kuvendit për Ballukun, Rama: Çështje e mbyllur, prokurori e gjykatësi nuk mund të bëjnë ç’të duan në derën e Kuvendit

Nga A2 CNN
15 Mars 2026, 10:47 | Aktualitet

Vendimi i Kuvendit për Ballukun, Rama: Çështje e mbyllur,

Deputeti është i barabartë përpara ligjit, kjo nuk diskutohet. Si çdo shtetas tjetër mund dhe duhet të hetohet nëse ka arsye për hetim, por liria e deputetit si e çdo shtetësi tjetër, nuk mund të kufizohet thjesht dhe vetëm me fjalë të përgjithshme apo me teorinë që prokurori dhe gjykatësi janë të pavarur dhe ata bëjnë çfarë të duan.

Kryeministri Edi Rama e konsideron të mbyllur vendimin e Kuvendit që rrëzoi kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku. Në Podcastin Flasim, kreu i qeverisë theksoi se kërkesa për heqjen e lirisë nuk ishte e justifikuar dhe se arresti duhet të jetë masa e fundit dhe jo mjeti i parë që përdoret gjatë hetimeve.

“Kuvendi i Shqipërisë i dha fund një diskutimi, debati, polemike, përplasjeje të gjatë lidhur me kërkesën për të autorizuar heqjen e lirisë së një deputeti. Dhe çështja e deputetes Belinda Balluku, sipas meje, sipas nesh, është një çështje e mbyllur. Kuvendi u shpreh pasi trajtoi me shumë përgjegjësi dhe me kujdesin më të madh të gjithë çka iu vu në dispozicion dhe nuk e autorizoi kërkesën me vlerësimin se kërkesa është në vazhdën e një kuturisjeje, e cila nuk mund të vazhdojë pafundësisht, ku njerëzit trajtohen si të ishin mjete në dispozicion të luftës kundër korrupsionit, edhe kur nuk bëhet fjalë për korrupsion, edhe kur nuk bëhet fjalë për përvetësime për interesa personale, edhe kur nuk bëhet fjalë për ndonjë arsye që mund të pengojë zhvillimin e hetimeve dhe merren edhe futen brenda, duke praktikisht e kthyer Shqipërinë në delen e zezë të Këshillit të Europës”, tha Rama duke sjellë në vëmendje se “58% e popullatës në sistemin e burgjeve të Shqipërisë nuk janë gjykuar, por janë në burg dhe jetojnë me taksat e shqiptarëve, në vend se të jetojnë me punën e tyre jashtë burgut dhe të ndiqen në gjendje të lirë”.

Rama thekson se prokurori e gjykatësi s’mund të bëjnë çfarë të duan kur trokasin në Kuvend.

“Ata nuk mund të bëjnë çfarë të duan kur trokasin në derën e Kuvendit dhe Kuvendi nuk mund të bëjë sikur nuk shikon, sikur nuk dëgjon, sikur nuk mendon dhe të refuzojë të kryejë rolin e tij, duke praktikisht mbrojtur dinjitetin e tij, dinjitetin e parlamentarëve të Republikës së Shqipërisë që nuk mund të trajtohen si fajtorë pa qenë të shpallur të tillë nga gjykata dhe nuk mund të kufizohen në lirinë e tyre pa pasur asnjë kusht që të çon në këtë drejtim”.

Sipas tij në rastin e Ballukut nuk ka akuza për korrupsion apo përvetësim fondesh dhe as prova flagrante që do të justifikonin një masë kaq të rëndë sigurie.

Kemi të bëjmë me një çështje ku prokurori ka ngritur me të drejtën e vet dyshimin dhe ka nisur hetimin dhe pastaj ka ngritur akuzën për shkelje të barazisë në tendera rreth gjashtë vite më parë dhe nga ana tjetër nuk ka akuzë për korrupsion, nuk ka  akuzë për përvetësim fondesh, nuk ka asnjë skenë flagrance, asnjë provë që të çon në këtë drejtim”.

Ai nënvizoi gjithashtu se mosdhënia e autorizimit nga Kuvendi nuk pengon vijimin e hetimeve nga prokuroria. Sipas tij, Kodi i Procedurës Penale e përcakton qartë se prokuroria mund të vazhdojë hetimet dhe të kërkojë masa të tjera nëse i konsideron të nevojshme.

Rama shtoi se deputetja nuk ushtron më funksione ekzekutive, çka sipas tij e bën të pamundur ndikimin e saj në procesin hetimor. Sipas tij vendimi i Kuvendit nuk cenon drejtësinë dhe se rruga e Shqipërisë drejt integrimit europian mbetet e pandryshuar.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos