Zogaj-Shkodër në këmbë, në prag pensioni mësuesja 62-vjeçare nuk dorëzohet

Nga Senad Nikshiqi dhe Gazment Janku
23 Janar 2026, 14:52 | Aktualitet

62-vjeçarja, në prag pensioni, mësuesja Mimoza Gërçari është e detyruar të ecë në këmbë për rreth 15 kilometra për t’u kthyer nga shkolla e Zogajt, në bashkinë e Shkodrës, drejt qytetit ku ka edhe banesën.

Një rrugë e lodhshme, duke pasur parasysh edhe moshën, por mungesa e transportit në kthim dhe pasioni për profesionin i japin forcë për ta përballuar. Telefonatat e herëpashershme të familjarëve janë gjithashtu pjesë e rrugëtimit të saj.

Por nuk është vetëm ecja. Rruga paraqet rreziqet e saj edhe nga kafshët e egra, të cilat nuk kanë munguar t’i dalin përpara mësueses, shkruan A2 CNN.

Edhe ecja me biçikletë rezultoi e rrezikshme.

Rruga e gjatë i jep kohë për të na treguar edhe për kërkesat që kanë bërë për një mjet transporti, por që nuk i ka dëgjuar njeri.

Pas më shumë se dy orë e gjysmë ecjeje, nën shoqërinë e telefonatave të familjarëve që e pyesin nëse është mirë dhe deri ku ka arritur, mësuesja 62-vjeçare mbërrin pranë banesës së saj në qytetin e Shkodrës.

Në korrik të këtij viti, ajo do të dalë në pension. Rruga e gjatë që ka bërë për të arsimuar nxënësit do të mbetet pas. Por ajo që mbetet ende e paqartë është fakti nëse do të vijojnë mësuesit e tjerë ta bëjnë këtë rrugë në këmbë.

Kur një mësuese ecën 15 kilometra për të mos braktisur nxënësit, më shumë se distanca, ajo që vret dhe rëndon më shumë është heshtja institucionale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos