Emigrantë nga India, pa ndonjë kualifikim apo profesion të caktuar, duket se po shuajnë etjen e sipërmarrjeve private në Vlorë për fuqi punëtore. Nuk është e vështirë të konstatosh pranë punishteve apo fasonerive të ndryshme punëtorë të huaj që kanë emigruar për një jetë më të mirë. Edhe pse shuma monetare që marrin në dorë mund të duket minimale, ata shprehen të kënaqur, pasi ushqimi dhe fjetja u ofrohen falas, shkruan A2 CNN.
Ndërsa theksojnë se, për nivelin e Indisë, këto paga janë të mira, emigrantët shprehen pozitivë për jetën në qytetin bregdetar. “Vlora duket një qytet i mirë dhe jam i lumtur. Unë kam një kontratë dhe do të punoj këtu për dy vite. Këtu paguhem mirë. Do të marr 350 euro në muaj dhe jam i lumtur. Puna është shumë e mirë. Më pëlqejnë njerëzit në Vlorë. Ushqimi dhe akomodimi për ne janë falas”, shprehet një prej tyre.
Një tjetër punëtor tregon se punon në një fabrikë që prodhon këpucë: “Këtu punojmë në një fabrikë këpucësh. Puna duket e mirë. Rroga që marrim për ne është e mirë. Marrim 350 euro. Kjo rrogë në Indi është e mjaftueshme, shumë e mirë”.
Nga të dhënat e siguruara rezulton se rreth 1.000 shtetas nga India janë punësuar në qarkun e Vlorës vitet e fundit. Punësimet janë kryesisht në sektorë si manufaktura, hoteleria, turizmi dhe ndërtimi. Numrin më të madh të shtetasve indianë të punësuar në këtë qark e mbajnë qytetet e Vlorës dhe Sarandës. (A2 Televizion)