Bagëtia është baras me bukën e gojës, humbje të mëdha nga zjarret për ata që jetojnë në fshat

Nga Marjo Brakaj
13 Gusht 2025, 15:45 | Ekonomi

Për ata që jetojnë në fshat, bagëtia është e baraz-vlefshme me bukën e gojës. Të prekurit nga zjarret po përpiqet të shpëtojnë ç’të mundin.

“Kam 30 krerë lopë, 110 krerë bagëti dhe 2 hajvanë ngarkese. Njërin e kam në fshat.”, tregon një banor.

Por jo të gjithë kanë mundur të nxjerrin nga kasollet “gjënë e gjallë”.

“Atje i kemi lënë të tëra. Me lopë e me bagëti. Ku të vemi...” Flakët përshkojnë kullotat dhe kasollet, duke shkrumbuar gjithçka. Humbjet janë të konsiderueshme.

“Zjarrvëniet dhe zjarret e përhapura po shkatërrojnë kullotat dhe po rrezikojnë mbijetesën e bagëtisë, duke prekur çdo familje që varet nga kjo pasuri”, tha Abdulla Diku, ekspert mjedisi.

Dëmet janë herë të drejtpërdrejta e herë përcillen si efekt zinxhir.

“Zjarret nuk po shkatërrojnë vetëm pyjet dhe kullotat, por edhe lumenjtë dhe burimet tona ujore. Shumë puse dhe kanale u dogjën, u mbushën me hi dhe baltë, dhe tani ujë për kafshët e për përdorim shtëpiak gjejmë shumë pak. Pa ujë, lopët dhe bagëtia vuajnë, dhe jetesa jonë kërcënohet çdo ditë”, thotë eksperti.

Dhe në kushtet që gjendja e Emergjencës Kombëtare nuk është shpallur, askush prej tyre nuk pretendon dot për dëmshpërblime.

“Shpallja e gjendjes së emergjencës është një hap formal, por pa masa konkrete për kompensimin e dëmeve, familjet rurale mbeten të pambrojtura. Bagëtia, kullotat dhe burimet ujore janë shkatërruar, dhe pa dëmshpërblime efektive, ndikimi ekonomik dhe social i zjarreve bëhet i papërballueshëm për komunitetet lokale”, tha Abdulla Diku.

Flakët nuk marrin vetëm drurët dhe bagëtinë – ato marrin me vete qetësinë dhe sigurinë e komuniteteve rurale. Çdo kasolle e djegur, çdo pus i shkatërruar dhe çdo kafshë e humbur është një histori që nuk mund të rikuperohet lehtë. Pa investime, pa dëmshpërblime dhe pa masa mbrojtëse, natyra dhe njeriu vazhdojnë një lojë të rrezikshme ku humbësi i vërtetë është fshati, i cili për çdo flakë duhet të luftojë vetë për mbijetesë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos