Blerjet e detyruara, mbi vlerat e planifikuara, bashkë me eurobondin e marrë në shkurt kanë zgjeruar rezervën valutore të Shqipërisë në nivelin më të lartë ndonjëherë.
Në fund të qershorit, ajo arriti në mbi 6,7 miliardë euro nga më pak se 6,3 miliardë në fillim të vitit.
Dritan Vakaj, kreu i Shoqatës së Këmbimit Valutor, shprehet për A2: “Zhvlerësimi i euros vijon, pavarësisht se rezerva ka arritur në nivelin më të lartë ndonjëherë”.
Në krahasim me qershorin e një viti më parë, rezerva valutore që Banak Qendrore ka mbledhur ka kapur shifrën e mbi 1,2 miliardë eurove. Megjithatë, euro vijon të zhvlerësohet duke dëmtuar veçanërisht eksportuesit: “Dhe për mua kjo sjell pikërisht atë që po ndodh tani. Zhvlerësimin e euros edhe jashtë sezonit turistik. Oferta e euros është shumë e lartë”.
Bazuar në një analizë paraprake, Ministra e Financave dhe Ekonomisë vlerëson se sasia e rezervës valutore është e mjaftueshme për të mbuluar mbi një vit importe. Nga ana tjetër, rritja e rezervës valutore, është një tjetër lajm i keq për eksportuesit.
Dritan Vakaj deklaroi: “Këtë vit eksportuesit do të konsumojnë “dhjamin” e akomuluar. Vitin e ardhshëm mund të shohim shkurtime dhe falimentime te këto ndërmarrje, bazuar te ecuria e deritanishme e kursit të këmbimit”.
Rezerva valutore shërben për të shlyer borxhin e qeverisë në valutë, për të mbështetur tregtinë ndërkombëtare dhe për të parandaluar apo zbutur lëvizjet e forta të kursit të këmbimit. (A2 Televizion)