Jetojmë në kohën e konsumizimit... asaj ku reklamat dhe ofertat na ndjekin kudo ndërsa dëshira për më shumë na shtyn të blejmë pa pushim. Në këtë realitet, blerësi shpesh ndjehet i humbur në një labirint produktesh që premtojnë shumë, po që herezi zhgënjejnë.
Përballja me mashtrimet dhe abuzimet nuk është më një rastësi, por një sfidë e përditshme. Për të mbrojtur sa më shumë qytetarët, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka hedhur në konsultim publik projektligjin “Për mbrojtjen e konsumatorit”.
“Përafron plotësisht të gjitha direktivat dhe rregulloret e Bashkimit Europian në fushën e mbrojtjes së konsumatorit. Specifikisht janë 7 rregullore apo direktiva që transpozohen në mënyrë të plotë në legjislacionin tonë, çka do të bëjë që konsumatori shqiptar, përsa i përket çështjeve të cilësisë së produkteve jo ushqimore, peshës, sasisë e me radhë, do të gëzojë të njëjtën mbrojtje si konsumatorët në çdo vend të BE”, tha Enkelejd Musabelliu, zëvendësministër i MEKI.
Drafti parashikon që për herë të parë do të ngrihet edhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes së Konsumatorit... në nivel qendror.
“Parashikohet edhe krijimi i Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes së Konsumatorit dhe i jepet mundësia agjencisë që jo vetëm të aktivizohet si tani nga ankesat, por edhe të bëjë inspektime, në bazë të reklamave që shikon etj. Agjencia do të ketë të drejtë të bëjë hetime administrative dhe në bazë të shkeljeve të marrë masat përkatëse. Ky projektligj i lejon mundësinë Agjencisë që në raste specifiku kur vërehet se ka abuzime në çmime që dëmtojnë interesat e konsumatorit, ligji i ri i jep mundësinë të kryej hetime për të mbrojtur konsumatorin edhe sa i takon çmimit”, sqaroi Musabelliu.
Më tej, krijimi i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes së Konsumatorit do t’i japë këtij institucioni fuqinë të kryejë inspektime dhe hetime proaktive, duke mos u ndalur vetëm tek ankesat, por duke qenë një vëzhgues i zëshëm dhe aktiv në treg.
“Ligji i konsumatorit zgjeron shumë të drejtat përsa i përket tregtisë online. Pra, konsumatori do të ketë të drejta të zgjeruara për politikat e kthimit të mallit, të ndryshimit, të tërheqjes nga një blerje e caktuar nëse nuk e gjykon të arsyeshme dhe me radhë. Është shumë e rëndësishme që të theksojmë që, për të përcaktuar një mbrojtje, konsumatori shqiptar të blejë një mall me faturë tatimore. Fatura tatimore është prova që vërteton transaksionin mes shitësit dhe blerësit.”
Në një epokë ku konsumizmi shpesh nxit blerje impulsive dhe pak të kontrolluara, ky projektligj është një mburojë që synon t’i japë konsumatorit kontroll dhe siguri. Në këtë mënyrë, Shqipëria po hap një faqe të re në historinë e tregut, duke nxitur një konsum të ndërgjegjshëm dhe të mbrojtur. (A2 Televizion)