Rënia e besimit në ekonomi nga qytetarët dhe bizneset për të tretin muaj me radhë rrezikon ta fusë ekonominë në një cikël rënës. Pesimizmi i treguar gjatë muajve të vjeshtës, tregues i stepjes së njerëzve për të shpenzuar dhe sipërmarrjeve për të investuar mund të krijojë një reaksion zinxhir negativ, efektet e të cilit mund të nisin filliminvitin e ardhshëm.
“Besimi në ekonomi është një nga treguesit kryesorë që tregon se si politikat dhe reformat e ndërmarra janë reflektuar te qytetari dhe biznesit. Rënia e këtij treguesi shfaq haptazi krizën në të cilën gjendemi, që shohim dhe ndiejmë përditë. Tregu është ai që i jep drejtim ecurive ekonomike dhe njëkohësisht gjendjes sonë financiare... xhepave tanë apo të bizneseve”, tha Suzana Guxholli, eksperte për ekonominë.
Skepticizmi ndaj gjendjes financiare nuk është një fenomen vetëm vendas. Në prag të dimrit edhe qytetarët e bizneset në vendet europiane janë më pak optimiste. Por ajo që e dallon Shqipërinë nga shtetet e tjera është hendeku i madh që krijohet kaq shpejt mes optimizmit dhe pesimizmit. Kjo u vërtetua më së miri gjatë nëntorit ku besimi në ekonomi ra me rimet më të shpejta të këtij viti.
“Kjo pasi ne kemi një ekonomi të pastrukturuar, Kaosi fiskal që ne kemi krijuar prej vitesh na krijon edhe këto lëkundje që shkojnë përtej logjikës ekonomike”, theksoi Guxholli.
Teksa paralajmërojnë se humbja e besimit në ekonomi mund të jetë një fenomen në vazhdim, ekspertë të ekonomisë kërkojnë ndërhyrjen e qeverisë në drejtim të qytetarëve dhe bizneseve. Demoralizimi i këtyre të fundit thonë ekspertët mund të zhvlerësojë edhe më tej rritjen ekonomike të vendit, e cila këtë vit përllogaritet në 3.6 për qind. (A2 Televizion)