Prej 1 korrikut përmes sistemit Efiling të tatimeve ka nisur aplikimi online nga fermerët që duan të marrin rimbursimin e TVSH me 10 për qind. Mësohet se gati 8 mijë subjekte kanë dorëzuar autofatura ndërsa pritet që për shitjet në gjashtë muajt e parë të vitit të shpërndahen 13 milionë euro.
Ministri i Financave Petrit Malaj nga zyrat e shërbimit të tatimpaguesve në Fier, theksoi se gjithçka realizohet në pak hapa ku dhe fermerët kanë llogaritë e tyre online.
“Është një proces i cili mund të bëhet lehtësisht nëpërmjet sistemit efiling ku fermerët mund të hyjnë në llogarinë e tyre. Aty janë të gjitha faturat e rregullta tatimore të listuara dhe mjafton me një kërkesë të thjeshtë dhe me numrin e llogarisë bankare të kryejnë aplikimin, i cila pastaj më tej do të ndiqet nga ana e administratës tatimore për të bërë dhe rimbursimin e drejtpërdrejtë në llogarinë bankare”, tha ministri.
Malaj nënvizoi gjithashtu dhe rëndësinë e prerjes së faturave të rregullta tatimore për t’u bërë pjesë e procesit.
“Duke filluar nga data 1 korrik, administrata tatimore ka filluar me kompensimin në masën 10%të TVSH-së për të gjitha produktet bujqësore ose blegtorale të cilat shiten kundrejt faturave të rregullta tek pikat e grumbullimit apo tek pikat e përpunimit. Kjo është në linjë edhe me politikat që po ndjek qeveria e Shqipërisë për të mbështetur sektorin e bujqësisë, të cilin ne e konsiderojmë si një sektor prioritar jo vetëm për kontributin që ajo ka në zhvillimin ekonomik të vendit, por edhe në aspektin e punësimit të fuqisë punëtore”, theksoi ministri.
Ministria e Financave raporton një rritje me gati 2 miliardë lekë të shitjeve të produkteve bujqësore drejt subjekteve ne TVSH prej janarit deri në qershor. (A2 Televizion)