Këtë të mërkurë u hap në Galerinë e Artit Bashkëkohor Tiranë (GOCAT) ekspozita “Body Under Construction” e artistes nga Kosova, Albana Ejupi.
Ekspozita eksploron trupin si një proces të vazhdueshëm transformimi, duke sjellë përmes pikturës, skulpturës, tekstilit, rërës dhe tekstit reflektime mbi kujtesën, identitetin, migrimin dhe përvojat që ndërtojnë jetën e njeriut.
“Trupi ynë mban peshë. Mban kujtime, zhgënjime, dashuri, humbje dhe histori që shpesh nuk duken në sipërfaqe. Pikërisht për këtë arsye ishte e rëndësishme për mua që në qendër të kësaj ekspozite të vendosja një skulpturë gruaje me peshë rreth 300 kilogramë. Pesha e saj nuk është vetëm fizike; ajo simbolizon barrën emocionale dhe përvojat që secili prej nesh mbart gjatë jetës.”
Ekspozita është kuruar nga Shkëlzen Maliqi, i cili thekson se koncepti fillestar i saj ka ndryshuar gjatë procesit krijues. “Koncepti i ekspozitës nisi si një retrospektivë, por gjatë procesit u shndërrua në një seri krejtësisht të re veprash. Për herë të katërt kam eksploruar këtë tematikë, duke kaluar edhe në skulpturë. Të gjitha pikturat dhe skulpturat kanë një strukturë që e vendos trupin në qendër, duke e nxjerrë atë përtej paraqitjes fizike dhe duke e kthyer në një mjet rrëfimi.”
“Body Under Construction” është ekspozita e 16-të e prezantuar në Galerinë e Artit Bashkëkohor Tiranë (GOCAT), një hapësirë kulturore pjesë e Fondacionit MANE.
Që nga krijimi i saj, galeria ka sjellë para publikut artistë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, duke përfshirë edhe emra të diasporës shqiptare. Disa prej tyre janë rikthyer për të ekspozuar në Shqipëri pas një karriere të suksesshme ndërkombëtare, ndërsa të tjerë janë prezantuar për herë të parë me publikun shqiptar.
“Body Under Construction” është një ekspozitë që pret vizitorët deri më 30 gusht në Galerinë GOCAT. Ajo realizohet me mbështetjen e Fondacionit MANE, i cili vijon të mbështesë një program artistik ambicioz, duke sjellë propozime të reja jo vetëm nga artistë shqiptarë, por edhe nga artistë ndërkombëtarë.
Në qendër të veprave qëndron rëra, e mbledhur në Kosovë dhe e kthyer në një element artistik që mbart histori, kujtime dhe gjurmë të përvojës njerëzore. Përmes saj, artistja e trajton trupin si një hapësirë ku përvoja, memoria dhe transformimi ndërthuren vazhdimisht.
Për Albana Ejupin, kjo ekspozitë përfaqëson një mundësi për të ndarë me publikun një reflektim mbi identitetin, kujtesën dhe aftësinë e njeriut për t’u rindërtuar vazhdimisht.
Ekspozita “Body Under Construction” do të qëndrojë e hapur për publikun në Galerinë e Artit Bashkëkohor Tiranë. Si pjesë e Fondacionit MANE, GOCAT vijon të krijojë ura mes artistëve dhe publikut përmes ekspozitave të artit bashkëkohor.
Ekspozita mund të vizitohet çdo ditë dhe hyrja është pa pagesë. (A2 Televizion)