“I pastër nga sëmundja”, qeveria harton një ligj të ri për kafshët, synohet siguria ushqimore

Nga Marjo Brakaj
21 Shkurt 2025, 16:07 | Ekonomi

“Minë me sahat” që kërcënon seriozisht të gjithë zinxhirin e sigurisë ushqimore. Në këtë përfundim del qeveria, e cila pranon se Shqipëria nuk ka një ligj të posaçëm mbi shëndetin e kafshëve. Për të korrigjuar këtë problematikë të trashëguar nga ne shkuara, në Kuvend është depozituar projektligji “Për shëndetin e kafshëve”.

“Ky projektligj ka për qëllim të përcaktojë rregullat për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve të kafshëve, të cilat janë të transmetueshme te kafshët ose te njerëzit, organizimin sipas përparësive të klasifikimit të sëmundjeve dhe përcaktimin e përgjegjësive në fushën e shëndetit të kafshëve”, tha për A2 CNN, eksperti veterinar, Edi Fero.

Baza e re ligjore synon të përcaktojë rregullat për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve të kafshëve, të cilat janë të transmetueshme te kafshët ose te njerëzit, organizimin sipas përparësive të klasifikimit të sëmundjeve dhe përcaktimin e përgjegjësive në fushën e shëndetit të kafshëve.

“Projektligji merr në vlerësim ndikimet klimatike, sigurinë e ushqimeve dhe të ushqimeve për kafshë, mirëqenien e kafshëve, duke përfshirë shmangien e çdo dhimbjeje, ankthi ose vuajtjeje të panevojshme, rezistencën antimikrobike, si dhe sigurimin e furnizimit me ushqim, pasojat ekonomike, sociale, kulturore dhe mjedisore”, shtoi Fero.

Siguria ushqimore është testi i radhës që Shqipëria duhet të kalojë... kjo si përpjekje për të fituar besimin e konsumatorëve e njëherazi për të marrë aprovimin e institucioneve të Bashkimit Europian.

“Si problematikë, konstatohet se Shqipëria ka rregullime në legjislacionin aktual, që rregullon në mënyrë të pjesshme shëndetin e kafshëve, por nuk ka një ligj të posaçëm e shterues, që lidhet me shëndetin e kafshëve. Pikërisht, këtë problematikë e zgjidh hartimi dhe miratimi i këtij projektligji, duke përafruar acquis-në përkatëse të Bashkimit Evropian”, nënvizoi eksperti.

Me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore, prej vitit 2012 është vendosur sistemi elektronik i gjurmueshmërisë dhe hedhjes së të dhënave mbi identifikimin, regjistrimin, lëvizjen e tyre dhe kontrollin e sëmundjeve të kafshëve. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, këto procese gati pamundësohen nga mungesa e buxhetit të nevojshëm të burimeve njerëzore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos