Jo vetëm si ta përdorim, por edhe si ta mbrojmë paranë. Këtë vit fushata e ndërgjegjësimit nga Banka e Shqipërisë është përqendruara te siguria kibernetike. Kjo pasi 70% e popullatës siç pohoi guvernatori Gent Sejko përdorin bankat për të marrë pagesa apo për të bërë transaksione financiare. Java e parasë nisi nga shkollat si një përpjekje për të edukuar moshat e reja që të ruhen nga mashtrimet online.
“Epoka digjitale i përball të rinjtë me këshilla, reklama dhe informacione për investime që burojnë nga rrjetet sociale apo miqtë, por është thelbësore të kuptohet se pjesëmarrja në tregun financiar, qoftë edhe për transaksione në dukje të thjeshta ka implikime më të gjera ekonomike. Viti 2023 shohim se transaksionet elektronike rreth 48 milionë me rritje 24% me 2022. Të dhënat e përfshirjes financiare si pasojë e edukimit financiar janë më të mira rreth 70% e popullatës punon me banka. Synojmë përfshirjen më shumë por dhe të rritjes së produkteve bankare”, tha Guvernatori Sejko.
Ndaj me sloganin “Mbro Paranë tënde, siguro të ardhmen tënde” do të zhvillohen një seri aktivitetesh në shkolla dhe universitete ndalur më së shumti tek siguria kibernetike. “Ekspertët kanë qenë në trajnime në shkolla dhe universitete për edukimin financiar. Temat janë ndalur si tek siguria kibernetike, paraja dhe funksioni i saj. Synojmë gjithëpërfshirjen e popullatës në informimin e saj”, tha Bledar Shella, kryetar i Shoqatës së Bankës.
“Brezi ri të edukohet për të menaxhuar më mirë sfidat e të ardhmes. Në kurrikulat që kemi zë vend dhe edukimi për sipërmarrjen, paranë dhe sigurinë. Me Bankën e Shqipërisë japim informacione nëpër klasa të ndryshme. Nga tetor 2023 kemi miratuar modulin me zhvillimin e karrierës në shkolla”, tha Ogerta Manastirliu, ministre e Arsimit dhe e Sporteve.
Ky është viti i 10 që Banka e Shqipërisë organizon “Javën e parasë” dedikuar edukimit financiar, teksa fokusi kryesor i saj është kryerja e të gjitha shërbimeve financiare në banka dhe reduktimi i parasë cash nga qarkullimi. (A2 Televizion)